Kurti: Thaçi të intervistohet nëse ka informacion se LV-ja e sajoi kërcënimin

22 maj 2020 | 15:27

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar të premten burgun e Dubravës, me ç’rast ka bërë homazhe tek pllaka përkujtimore për martirët e vrarë para 21 vitesh.

Pas homazheve, Kurti ka komentuar edhe deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka sajuar kërcënimin se kinse është bërë nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Sipas Kurtit, nëse Thaçi është i sigurt se Vetëvendosje e ka sajuar një kërcënim të tillë, atëherë ai duhet të intervistohet nga prokurori i shtetit.

“Presidenti meqenëse ka informacione të tilla do të duhej të intervistohej nga prokurori i shtetit së paku si dëshmitar. Nëse paska informacione të tilla ai duhet t’iu ndihmojë institucioneve të drejtësisë të zbardhin këtë kërcenim ndaj meje”.

“Këto janë deklarata të pamatura dhe të bazuara të presidentit të frustruar dhe në panik. Meqenëse është i pakënaqur që është nga ulësja e tij. Unë i pata ofruar të jap dorëheqjen dhe të vij në garë zgjedhore sepse nuk po sillet si president, por si një politikan opozitar”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se është evidente që qeveria dhe kryeministri në detyrë më shumë kanë opozitarizëm nga presidenti sesa nga opozita.

“Meqenëse se dëshiron të bëj opozitarizimin le të kalojë në opozitë. Presidenti duhet të reflektojë unitetin e popullit. Ai po e sulmon qeverinë në detyrë pas mocionit të detyrës”, është shprehur Kurti.

Më tutje, Kurti ka theksuar se nuk i druhet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, këtë drojë e ka vet presidenti i cili në çdo mënyrë po tregon që ka frikë se do ta humbasë rastin.

Ai ka thënë se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pritet të shpallet më 29 maj sepse beson se gjyqtarët do të marrin vendim kushtetues dhe jo antikushtetues.

“Unë dua të besoj që ata do të bëjnë vlerësimin në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme. Nuk bëhet fjalë për asnjë cenim nga ana ime. Përkundrazi unë jam i interesuar që ata të mbrohen maksimalisht… Ne do të respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përderisa ai është interpretim i kushtetues siç është misioni i Gjykatës Kushtetues”, ka thënë Kurti

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe…