Kurti thotë se do t’i përshpejtojnë procedurat për të aplikuar në BE, Këshill të Evropës dhe NATO

03 mars 2022 | 11:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të vazhdojnë që të dënojnë agresionin rus në Ukrainë.

Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se pamjet nga Ukraina pas fillimit të agresionit rus, i ngjajnë një tragjedie evropiane në vazhdim, teksa ka shtuar se askush nuk e dinë se si do të jenë ditët në vijim.

“Para një jave ndodhi ajo që pak kush e priste dhe e besonte. Një shtet i pavarur dhe i lirë, demokratik e paqësor u sulmua nga një shtet fqinj pa asnjë shkas, e  pa asnjë provokim. 23 vjet nga lufta e fundit në Evropë e që ndodhi ne vendin tonë, lajmet e pamjet nga Ukraina tashmë i ngjajnë një tragjedie evropiane në vazhdim. Askush nuk e dinë me siguri se si do të zhvillohet situata në ditët në vazhdim por ajo që e dimë nga historia është se askush nuk duhet të rrijë indiferent”,  është shprehur ai.

Më tutje, kryeministri Kurti ka thënë se ky nuk është se sulm vetëm mbi Ukrainën, por sulm mbi botën e civilizuar.

“Sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj botës së civilizuar. Është sulm mbi lirinë dhe demokracinë, mbi vlerat tona më të çmuara për të cilat gjenerata të tëra janë flijuar. Pra është sulm mbi të gjithë ne”, ka thënë ai, duke shtuar se arsyeja pse Kosova po e mbështet Ukrainën është lufta e tyre për liri.

“Arsyeja pse shteti ynë solidarizohet me Ukrainën dhe popullin e saj është se në luftën e tyre për liri ne shohim veten tonë. Në radhët e qytetarëve të dëbuar na rikthehet ankthi i dëbimit masiv të qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se kanë dënuar dhe se do të vazhdojë që ta dënojnë fuqishëm agresionin rus.

Për Putinin, Kurti ka thënë se është duke besuar në ringjalljen e një perandorie të vdekur.

“Ne dënuam dhe e dënojmë fuqishëm agresionin rus. Protagonisti i kësaj  luftë të tmerrshme beson në ringjalljen e një perandorie të vdekur. Ai nuk përfaqëson ideologji, kauzë apo lëvizje progresiste. Ai është thjeshtë produkt i një sistemi thellësisht të korruptuar që ka prodhuar një autokrat për të tashmen e nostalgjik për të kaluarën”, ka thënë Kurti.

Më tutje, kryeministri Kurti  ka thënë se dënojnë edhe mosdënimin e agresionit rus nga Serbia. Sipas tij, shteti fqinj po mban qëndrim të dyfishtë.

“Ne dënojmë edhe mos dënimin e agresionit rus nga fqinji ynë Serbia  për mosvënien e sanksioneve. Pozicioni edhe, edhe duke tentuar që ta luajë qendrën e dyfishtë, edhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Uashingtonin edhe me  Pekinin është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë”,  është shprehur ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se do të përshpejtojnë procedurat e aplikimit për anëtarësim në BE, Këshill të Evropës, NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar.

“Në vitin e kaluar thamë se do të aplikojmë këtë vit për anëtarësim në BE. Këtë proces do ta përshpejtojmë njëjtë siç do që përshpejtojnë procesin e aplikimit në Këshill të Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Do të kërkojmë edhe që Kosova të bëhet sa më parë anëtare e NATO-s duke filluar së pari ,me partneritetin për paqe”, ka thënë Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë,…