Kurti thotë se fëmijët duhet të shihen si qytetarë të ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët

01 qershor 2020 | 14:51

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur sot fjalim në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve, që siç ka theksuar ai, është organizuar jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, por edhe në ditën që qeveria ka hapur çerdhet për të gjithë fëmijët pas gati tre muaj ndërprerjeje.

Kurti ka thënë se gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët.

Ai ka thënë se është thelbësore se si ne i edukojmë fëmijët, si në familje ashtu edhe në shkolla dhe komunitet.

Kurti ka ngritur shqetësimin se në Kosovë mbështetja nga babai për të mësuar është shumë më e ulët sesa nga nëna, ku 6 për qind të baballarëve u ndihmojnë fëmijëve me mësime, krahasuar me 42.8 për qind të nënave.

“Kjo duhet të ndryshohet, dhe këtë duhet të gjithë të angazhohemi për ta ndryshuar. Babai duhet të jetë barabartë i pranishëm në jetën e fëmijës por edhe në punët e familjes. Angazhimi i barabartë i prindërve në shtëpi është shembulli më i mirë që mund të bartet te fëmija në mënyrë që barazia, pra edhe barazia gjinore, të vijë natyrshëm”.

“Edukimi në familje ndërlidhet edhe me të drejtat e grave pasi që familja është aty ku mësohen rolet gjinore. Të drejtat e grave fillojnë me të drejtat e vajzave. Shembulli se si djemtë duhet të sillen ndaj vajzave, se si burrat duhet të sillen ndaj grave, tregohet dhe modelohet fillimisht në mënyrën se si babai sillet ndaj nënës”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në orën…