Kurti thotë se me qeverisjen e tij pensionistët do të kenë trajtim meritor
Kryetari i LV-së, Albin Kurti, ka qëndruar në Mushtisht, sic ka thënë ai “në konakun e pensionistëve”.
“Pata kënaqësinë të bisedojmë për punët dhe projektet që kemi realizuar si qeveri, por edhe për përkushtimin që kemi treguar ndaj vetë pensionistëve. 90 euro ishte vlera e pensioneve kur ne morëm qeverisjen. Fillimisht i rritëm në 100 euro, për t’i bërë 120 e së fundmi për t’i ngritur në nivelin ku janë sot, 150 euro. Ndërkaq, 6 herë kemi ndarë shtesa të njëhershme nga 100 euro për pensionistët. Të vetëdijshëm për nevojat e secilës kategori shoqërore çdo euro të buxhetit po e shpërndajmë në mënyrë të barabartë, në mënyrë që secila pjesë e shoqërisë sonë të përfitojë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka thënë se krahas rritjes dhe mbështetjes së vazhdueshme që kanë ndërmarrë, në mandatin që po vjen do ta bëjnë edhe reformën pensionale, e cila do të sigurojë që kjo kategori më në fund të ketë trajtim meritor.
“Nisur nga ata që kanë më së shumti nevojë, qeverisja jonë mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar për mirëqenie dhe drejtësi”, ka shkruar Kurti.



