Kurti tregon pesë vendimet e para që do t’i marrë mandatin e radhës
Kandidati për kryeministër i LV-së, Albin Kurti, ka postuar një video nga prezantimi i programit të tyre zgjedhor dhe zotimeve para qytetarëve për siguri dhe begati.
Teksa kanë mbetur edhe 12 ditë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Kurti ka shpalosur programin qeverisës për mandatin e ardhshëm.
Me këtë rast, ai ka treguar pesë vendimet e para që do t’i marrë si qeveri, nëse fiton zgjedhjet.
Vendimi i parë dhe më i rëndësishmi është ai i miratimit të buxhetit për 2026-tën, në vlerë prej 4 miliardë eurosh – më i madhi deri më tani.
Më pas, Kurti thotë se do të procedojë ligjin e ri për çmime tavan, “në mënyrë që të frenohet abuzimi i tregtarëve”.
Vendimi i tretë ka të bëjë me procedimin e ndryshim-plotësimit të ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e UÇK-së, që marrin beneficion.
Me të marrë mandatin e radhës, Kurti premton se do të miratojë vendimin për pagën e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.
Ndërkaq, vendimi i pestë ka të bëjë me pakon për përballje me inflacionin 2.0.



