Kurti ua përllogarit qytetarëve faturat e rrymës se sa u vjen më shtrenjtë

09 shkurt 2022 | 11:23

Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë sot disa shembuj se sa do t’i paguajnë faturat konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kWh energji elektrike në muaj.

Ai tha se për personat që shpenzojnë deri në 800 kWh nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës, ndërsa për ata që shpenzojnë mbi 850 kWh, sipas Kurtit rritja e çmimit në faturë do të jetë për 5 për qind.

“Për konsum deri në 800 kWh nuk do të ketë rritje. Në rastin e konsumin 850 kWh, duke llogaritur një raport mesatar 60/40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së re dhe asaj të vjetër do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro. Pra një rritje prej rreth 5 për qind ose 2.5 euro më shumë në muaj”, ka thënë ai.

Kurti ka përllogaritur edhe çmimin e faturës që do të paguajnë qytetarët që shpenzojnë mbi 1000 kWh energji elektrike në muaj.

“Në rast të konsumit të 1000 kWh duke llogaritur sërish një raport mesatar 60/40 të tarifës së lartë dhe të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17 për qind. Nga 58.10 euro në 68.18 euro. Pra 10 euro më shumë në muaj për ata që konsumojnë 1 megavat orë në muaj”, ka thënë ai.

Ndërsa për personat që shpenzojnë mbi 1200 kWh, kryeministri Kurti ka thënë se do të ketë rritje të shumës në faturë për 29 për qind.

Në rast të konsumit 1200 kWh në muaj duke llogaritur një raport 60/40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro një rritje prej 29 për qind ose 20 euro”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës i ka vendosur sanksione regjimit të presidentit…