Kurti: Unë do të jem kryeministër, vazhdojmë tutje

06 maj 2025 | 12:41

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se frikën e partive që ishin në opozitë gjatë legjislaturës së tetë duhet ta analizojnë analistët politikë.

Kurti, gjatë vendosjes së gurthemelit të një objekti për banim të përballueshëm në Gjilan, u shpreh me bindje të plotë se do të vazhdojë të jetë kryeministër.

“Nuk është e lehtë të analizojmë frikën e opozitës, dhe kjo është punë për analistët. Unë kryeministër, vazhdojmë tutje ose VVazhdojmë tutje”, tha Kurti duke qeshur.

I pyetur për ftesën që ia dërgoi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për një koalicion, Kurti refuzoi të përgjigjej, duke thënë se “këtu jemi për banim”.

Të hënën, dështoi për herë të 11-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Kurti gjatë gjithë kohës ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve, ndërsa në seancat që janë mbajtur deri tani, ai asnjëherë nuk është ndalur para gazetarëve për të dhënë ndonjë përgjigje.

Gjatë hyrjes së tij në Kuvendin e Kosovës dhe daljes nga ky institucion, ndonëse është pyetur vazhdimisht nga gazetarët nëse ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ai vetëm ka heshtur.

Kurti ka qeverisur Kosovën gjatë katër viteve të fundit.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me 42%, por ky rezultat nuk është i mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Simone Inzaghi është optimist se Interi mund të mposhtë…