Kurti uron Ditën e Veteranëve: Ju lumtë pushka luftëtarë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Veteranëve.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka thënë se kjo ditë zuri vend në ditën e parafundit të vitit kalendarik, sepse më 30 dhjetor 1991, forcat policore serbe e kryen aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz.
“Kishin kaluar vetëm tre javë prej kur Adem Jashari dhe gjysma e grupit të dytë të vullnetarëve që ishin stërvitur në Shqipëri, ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Të dekonspiruar ndërkohë, policia shkoi ta arrestonte komandantin e togut të dytë të atij grupi vullnetarësh, Adem Jasharin, atë kohë 36 vjeçar”, ka shkruar ai.
Në këtë ditë, 34 vjet më parë, Kurti ka thënë se Prekazi ishte shndërruar në arenë të përballjeve të shumëfishta dhe presioneve mes policisë serbe.
“Por policia nuk e kishte parashikuar që do të haste në rezistencë të armatosur nga tre bijtë e Shaban Jasharit, Rifati, Hamza dhe Ademi, të cilëve iu bashkuan në luftime kushërinjë e bashkëfshatarë, si dhe miq, shokë e luftëtarë të tjerë të organizuar bashkë me ta. Gjatë ditës së hënë të 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë të përballjeve të shumëfishta dhe presioneve mes policisë serbe dhe mbi 200 personave nga Prekazi e fshatrat përreth që u mobilizuan ta ndihmonin familjen Jashari. Dy persona u plagosën, 14 familje u bastisën, 50 persona u ndaluan gjithë ditën kurse 27 prej tyre u arrestuan, mes të cilëve edhe Shaban Jashari”.
“Rifati, Hamza dhe Ademi arritën të dilnin nga rrethimi policor, duke e nxjerrë jashtë tij edhe projektin e kahmotshëm kombëtar për çlirimin e Kosovës. Shpirti lëvizës i familjes Jashari, baci Rifat, arriti të kthehej në Gjermani, kurse Hamza dhe Ademi kaluan në ilegalitet duke jetuar mes aksionesh e organizimesh luftarake gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Familja Jashari do të vihej sërish para një sprove të këtillë mëngjesin e 22 janarit 1998, kur u sulmua sërish nga policia serbe dhe kur rezistoi sërish me luftë të armatosur. Kjo ngjau vetëm gjashtë javë para aktit final të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur pas një rezistence të paepur bashkë me dhjetëra të tjerë, Ademi dhe Hamza ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, ai ka theksuar se veteranët e luftës çlirimtare janë shokët bashkudhëtarë dhe luftëtarët dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
“Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës, rrugë kjo në të cilën udhëtojnë të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe faktorizimin e kombit tonë”, ka shkruar Kurti.



