Kurti viziton Panairin ndërkombëtar të agrobiznesit dhe ushqimit “Agrokos”

20 tetor 2022 | 17:13

Në edicionin e 22-të të Panairit ndërkombëtar të agrobiznesit dhe ushqimit “Agrokos”, që po zhvillohet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, kryeministri Albin Kurti ka vizituar agro-bizneset pjesëmarrëse në panair.

Kryeministri Kurti vizitoi stendat e prodhuesve vendor dhe bisedoi me ta për rritjen e prodhimtarisë, rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore, potencialin për zhvillim të mëtejmë dhe depërtimin në tregje ndërkombëtare.

Ai ritheksoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për nisma që promovojnë sektorin agro ushqimor dhe rrisin mundësitë e fuqizimit ekonomik në sektorin e bujqësisë.

Përfaqësuesit e agro-bizneseve biseduan me kryeministrin për mundësitë që panairi ofron për rrjetëzim dhe bashkëpunime mes agro-bizneseve vendore me ato të vendeve të rajonit, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat.

Së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe zëvendësministrin Imri Demelezi, kryeministri Kurti theksoi synimet e qeverisë për ta transformuar ekonominë agro-rurale, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse, produktive, të qëndrueshme dhe konkurrente në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Me këto synime, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, ka planifikuar mbi 52 milionë euro përkrahje financiare për mbështetjen e kulturave dhe aktiviteteve bujqësore e blegtorale, ku nga këto veçse kanë përfunduar pagesat në vlerë prej rreth 42 milionë euro. Ndërsa janë ndarë mbi 26 milionë euro në kuadër të Programit për Zhvillim Rural / Grante në Bujqësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Korenë e Jugut është duke u zhvilluar Botërori i…