Kurtin e rrëzuan politikanët e korruptuar

04 prill 2020 | 11:58

Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit, thotë se mocionin për rrëzimin e Albin Kurtit e kanë organizuar disa politikanë të korruptuar të cilët janë frikësuar nga procesi i vetingut dhe nga puna e mirë që, sipas tij, filloi ta bënte kreu i qeverisë.

Dalipi ka shkruar se këta politikanë të korruptuar, të kërcënuar nga zhvillimet pozitive, e rrëzuan qeverinë Kurti vetëm pas 51 ditësh.

“Një proces vetingu për gjykatësit, agjencitë e inteligjencës dhe zyrtarët e lartë ka filluar. Të kërcënuar nga këto zhvillime pozitive, 51 ditë pasi u formua Qeveria Kurti, politikanë të korruptuar të përzgjedhur u bashkuan për ta rrëzuar qeverinë përmes paraqitjes së mocionit të mosbesimit”, ka shkruar Dalipi në llogarinë e vet zyrtare në “Twitter”, raporton “Express”.

Siç thotë shefi i stafit të Kurtit, mocioni i mosbesimit që u organizua nga Lidhja Demokratike e Kosovës u bë në kohën e pandemisë COVID 19 dhe pengoi përpjekjet e para të suksesshme të Kurtit për reformën kundër korrupsionit që, sipas tij, është jetike për demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Në reagimin e tij Dalipi ka folur edhe për emërimin nëpër borde të katër emrave të cilët janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Dalipi e ka pranuar hapur se ata kanë lidhje me partinë, por shton se s’kanë pozita të larta në Vetëvendosje apo në udhëheqje.

Bashkëpunëtori i Kurtit ka përmendur faktin se vetëm 4 prej 27 anëtarëve të bordeve janë të Vetëvendosjes dhe thotë se diskriminimi në baza partiake është i ndaluar edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Në fund Luan Dalipi thotë se asnjë përpjekje e opozitës për ta paraqitur një fotografi tjetër të qeverisjes nuk do ta pengojë Albin Kurtin për ta shkapur Kosovën nga krimi dhe korrupsioni dhe për të vendosur profesionalizëm në menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është një nga aktoret më të talentuara dhe më seksi…