
Kurtit i urohet kthimi nga Greqia
Ka dështuar edhe për herën e 49-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish hodhi në votim komisionin që po dështon të marrë përkrahjen nga partitë tjera e përmes të cilit Vetëvendosje synoi të bënte kryeparlamentare Albulena Haxhiun.
Në sallë ishin 101 deputetë, prej të cilëve 50 votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Dështimi kësaj radhe erdhi në mes deklaratave optimiste nga partia e Fatmir Limajt për një marrëveshje të mundshme me Vetëvendosjen.
Time Kadrijaj nga AAK-Nisma, i uroj deputetit Kurti, mirëseardhje në Kosovë.
Deputetja e Nismës Xhevahire Izmaku para nisjes së seancës tha se një takim mes Kurtit e Limajt do të ndodhë sot.
Ajo tha se qëndrimi i partisë së saj është që Limaj të jetë kryeparlamentar, ndërsa Vetëvendosje të ketë Qeverinë.
Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi tha se deputetët janë të obliguar të konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik megjithëse nuk sqaroi çfarë ndodh nëse kjo nuk arrihet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.
“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.