
Kurtit po i largohen ministrat e diasporës
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të martën se me kërkesë të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pranuar dorëheqjen e këtij të fundit dhe në vend të tij ka emëruar Ejup Maqedoncin.
“Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, ka njoftuar Kurti.
Armend Mehaj kishte ardhur nga Norvegjia për t’u bërë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në mars të vitit 2021, shkruan “Epoka e re”.
Për dorëheqjen e tij ka njoftuar edhe vet Mehaj. “Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mehaj.
Ai ka theksuar se pas shumë vitesh shërbim në uniformë, për të si ushtarak ka qenë përgjegjësi dhe privilegj ta merrte këtë detyrë kaq të lartë, nëpërmjet të cilës profesionalizmi dhe përvoja e tij ushtarake, erdhën në shprehje në formë politikash dhe strategjish shtetërore.
Mehaj ka folur për punën që ka bërë si ministër për më shumë se dy vite. “Rruga që e kam ndjekur duke e drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, është e dëshmuar dhe e evidentueshme, bashkë me të gjitha të arriturat, sukseset dhe përparimet që e kanë shoqëruar këtë institucion. Kam pasur fatin që të vihem në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në një kohë kur Forca e Sigurisë së Kosovës, është duke kaluar nëpër një fazë të transformimit sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Për ushtrinë tonë, kjo është një periudhë shumë e rëndësishme historike, gjatë të cilës FSK-ja do t’i ngritë kapacitetet ushtarake në nivele të plota për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Mehaj ka thënë se brenda dy viteve të para të qeverisjes, është dyfishuar buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, ndërsa janë rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj.
Ai ka theksuar se gjatë gjithë kësaj kohe, puna e tij është drejtuar nga idealet kombëtare të dëshmorëve të lirisë. “Jam mbështetur në profesionalizmin dhe përvojën time ushtarake si dhe jam përpjekur që të drejtoj me përgjegjësi dhe integritet. Është nder dhe privilegj krejt i veçantë të drejtosh një institucion si Ministria e Mbrojtjes, e cila bën politika për një ushtri që e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. U jam mirënjohës dhe i falënderoj prindërit e mi, që më kanë edukuar në frymën e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar, siç e falënderoj bashkëshorten time dhe tri vajzat e mija për sakrificat e bëra gjatë kësaj kohe”, ka thënë Mehaj.
Ai në fund të adresimit të tij përmes rrjeteve sociale ka theksuar se Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës e presin edhe shumë punë dhe procese, në një rrugë të gjatë drejt forcimit të shtetit dhe garantimit të sigurisë së plotë të tij.
Para dhjetë muajve ka dhënë dorëheqje edhe Rifat Latifi nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, i cili kishte ardhur nga ShBA për të marrë këtë post.
Duke e komentuar dorëheqjen e Mehajt, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka theksuar se “truri” po ikë prej Albin Kurtit.
“Largimi i Rifat Latifit dhe Armend Mehajt, dy ardhje nga jashtë vendit, janë dëshmi se përbrenda kësaj qeverie, jo vetëm qeverisja por edhe mentaliteti është i kalbur. Përndryshe, para Armendit, është dashur të shkarkohen e jo t’u lejohet dorëheqja, Rozeta Hajdari, Mimoza Kusari – Lila, Martin Berishaj dhe nja 50 zyrtarë tjerë të përfshirë në afera korruptive e skandale të ndryshme”, ka shkruar Deliu në “Facebook”.
Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar pas dorëheqjes se ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
“Kur qeveria nuk është vendore dhe përbëhet nga turistë sezone!? Ata siç erdhën dhe shkuan për të vazhduar jetën e tyre të shkëputur nga problemet tona e me një eksperiencë individuale më shumë. Sot, askush nuk din se ku është ish-ministri i Shëndetësisë, sikurse s’do di askush ku do të jetë ministri, nga sot ish-ministri i Mbrojtjes, e nesër e pasnesër ministrja e Punëve të Jashtme. Eksperiencë e mirë për jetën e tyre e asgjë domethënëse për Kosovën e qytetarët e saj”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
/Epoka e re/