Kusari akuzon partitë opozitare se nuk patën iniciativa për presidentin: Vetëm Kurti ka propozuar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ua ka hedhur fajin partive opozitare për çështjen e presidentit.
Sipas saj, PDK dhe LDK, nuk kanë pasur iniciativa për këtë situatë, qoftë edhe në propozimin e emrave.
“Unë uroj që sot të ketë marrëveshje. Ka qenë vetëm Kurti dhe LVV që kanë bërë propozime për emrin e presidentit. Në asnjë rast, qoftë me LDK-në ose PDK-në, nuk ka pasur nismë ose iniciativë për të zgjidhur çështjen e presidentit, apo për të dhënë emër.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Kusari-Lila tha se nga takimi i sotëm mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, presin që kjo çështje të zgjidhet, raporton Klankosova.tv
Shpresojmë që do të ketë marrëveshje, përkundër që kjo është kompetencë e kryeministrit dhe të evitojmë shkuarjen në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja do të rrezikonin disa prej proceseve që janë në një dinamikë pozitive të vendit tonë. Uroj që të ketë një qasje pozitive, megjithatë deri më tani kemi pa përpjekje të vazhdueshme vetëm nga njëra anë”, tha Kusari – Lila.



