Kusari: Koha e mospjesëmarrjes në votim mbaroi, tani është koha për votim
Deputetja Mimoza Kusari ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese, sipas saj, edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë) nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor.
“Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues”, ka shkruar Kusari.
Postimi i saj:
Me të gjitha kufizimet evidente për trajtim përmbajtësor të kërkesës së deputetëve nënshkrues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procesin e votimit në seancën konstituive, vendimi i Gjykatës në thelb rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 66 të Kushtetutës.
Interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese — edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë) — nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues.
Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim.
Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive.
Koha e mospjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës.



