
Kusari- Lila: Kryeparlamentari i takon LV-së, diskutimet me NISMA për poste tjera
Kryetarja e partisë Alternativa, pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se diskutimet me Nismën Socialdemokrate janë në proces e sipër dhe se sipas saj është herët të thuhet nëse do të ketë ndonjë marrëveshje që do të çonte në konstituimin e Kuvendit deri të shtunën.
Ajo nuk ka treguar se çfarë oferte i ka bërë Albin Kurti, Fatmir Limajt në takimin e fundjavës, por ka theksuar se pozita e kryeparlamentarit i takon LV-së si parti e parë e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kusari-Lila ka theksuar se diskutimet me Nismën mund të jenë për pozicione të tjera, por jo për atë të kryetarit të Kuvenditr.
“Ne jemi të bindur se është pozitë e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje si fituesja e zgjedhjeve. Prandaj diskutimet të gjithë i kanë inkurajuar të vazhdojnë, por në raport me pozicione të tjera, jo me pozitën e kryeparlamentarit. Mbetet të shihet cila do të jetë gatishmëria e Nismës dhe Limjat për të trajtuar mundësitë e tjera”, ka thënë Kusari për “RTV21”.
E pyetur nëse LV-ja ka lëvizur nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, Kusari-Lila ka thënë se deri më tani s’ka ndonjë ndryshim rreth këtij emri.
“Nuk ka pasur diskutime për ndryshim të emrit të kandidates për kryeparlamtare”, ka thënë Kusari-Lila.