Kusari-Lila: Kurti është taku 6-7 herë, por kërkesa e Limaj ka qenë kokëfortë
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për procesin e negociatave nga Lëvizja Vetëvendosje me Fatmir Limajn duke treguar se janë zhvilluar disa takime me të dhe me përfaqësues të tij.
“Shumë ka qenë transparente gjithçka. Normalisht që takimet brenda, çka është diskutuar, kanë mbetur brenda palëve, por edhe ato janë thënë pas takimit. Do të thotë, me z. Limaj diku 6-7 herë është takuar z. Kurti në instanca të ndryshme ose me përfaqësues të tij. Mandej ka pasur edhe diskutime për zgjidhje alternative në një farë forme, por kërkesa e tij ka qenë kokëfortë në raport me pozitën e kryetarit të Kuvendit, e cila pozitë nuk mund të merrte shumicën, jo vetëm të grupit tonë parlamentar, por nuk kishte vota as nga grupet tjera. AAK u deklarua se nuk e voton Limajn, PDK po ashtu, ndërsa LDK tha se nuk e voton askënd që e propozon Vetëvendosja. Në grupin tonë parlamentar nuk kishte homogjenitet votash për z. Limaj”, u shpreh Kusari-Lila në emisionin “DPT te Fidani”.
Ajo shtoi se pavarësisht përpjekjeve të shumta për të gjetur një zgjidhje, mungesa e mbështetjes nga grupet parlamentare e bëri të pamundur arritjen e marrëveshjes.
Në momentin kur është thënë që është në bisedime me z. Kurti, në fakt, takimin e parë e ka pasur më 15 prill, ne i kemi pasur përpjekjet tona maksimale. Mandej kanë qenë ofertat e njëpasnjëshme, jo për kryetarin, por për nënkryetarin e Kuvendit. Dihet që është rregullorja që kërkon që kryetari të jetë i një gjinie, e nëse do të zgjidhej znj. Albulena Haxhiu, atëherë z. Limaj do të mund të ishte nënkryetar. Është folur edhe për dikasterë të ministrive, të cilat gjoja i ka refuzuar. Dhe kur erdhëm në këtë pikë, ka pasur përpjekje deri në fund”, tha Kusari-Lila.



