Kusari-Lila nënshkruan vendimin që rregullon çmimet e naftës në tregun e Kosovës
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lla, ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.
Ministrja e ka quajtur këtë vendim si të domosdoshëm.
“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor. Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes. Marzha tregtare maksimale e lejuar: Shitja me shumicë: deri në 2 euro centë për litër dhe shitja me pakicë: deri në 12 euro centë për litër”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka bërë me dije se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2, të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Duke u bazuar në analizën e situatës në treg dhe në kompetencat ligjore të Ministrisë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Ky vendim synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.



