
Kusari-Lila: Pa udhëzime shtesë nga gjykata mbeten vetëm zgjedhjet e parakohshme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk pret konstituimin e Kuvendit as në seancën e 43-të të hënën.
Sipas saj, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka ndaluar votimin e fshehtë dhe deputetët po e shkelin Kushtetutën me mosvotimin e komisionit për votimin e fshehtë.
Kusari-Lila ka sugjeruar që ose gjykata të vjen me sqarime shtesë për vendimin e saj, ose Kuvendi të mblidhet dhe të shpërndahet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Krejt çka pritet prej nesh si deputetë është votimi. Votimi është obligim kushtetues, jo zgjedhje. Gjykata nuk ka evidentuar ndonjë shkelje, ajo ka sqaruar procedurën për konstituimin e Kuvendit dhe ka theksuar se asnjë formë e votimit nuk është e përjashtuar. Nëse përfaqësuesit e partive opozitare nuk pajtohen me votimin e fshehtë, le ta rrëzojnë komisionin. Le të vijë Gjykata me udhëzime apo sqarime shtesë, ose partitë politike të dakordohen që Kuvendi të mblidhet dhe të shpërndahet, për të shkuar në zgjedhje”, ka thënë ajo.