Kusari-Lila priti përfaqësuesit e GIZ-it, diskutohen politikat e gjelbra dhe Fondi për Inovacion
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim përfaqësuesit e GIZ-it, zyra në Kosovë, me të cilët vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe u dakordua për hapat e ardhshëm të partneritetit.
Gjatë takimit u theksua se avancimi i politikave të gjelbra, zbatimi i Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe funksionalizimi i Fondit për Inovacion, mbeten prioritete kyçe për fuqizimin e sektorit privat dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillim ekonomik.
Me drejtorin e GIZ-it në Kosovë, Daniel Alker, u diskutua gjithashtu për zhvillimin e platformës së bizneseve pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me theks të veçantë në rritjen e transparencës për pronarët përfitues, digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi se reformat strukturore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten shtylla thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.



