Kusari-Lila: Qytetarët e Kosovës ndër popujt më pro-evropianë në Ballkan

08 maj 2026 | 12:31

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në panelin përmbyllës të “St. Gallen Symposium 2026” në Zvicër, me temën “Fuqia e politikës përballë politikës së fuqisë – Ruajtja e interesave strategjike në një botë të re”.

Në panel, ministrja Kusari-Lila ka diskutuar së bashku me Kelly Craft, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Kęstutis Budrys, ministër i Punëve të Jashtme i Lituanisë, dhe Emma Theofelus, ministre e Informacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë e Namibisë, në një debat të moderuar nga Michael Brocker.

Sipas Kusari-Lilës, diskutimi është fokusuar në ndryshimet e rendit global, rritjen e multipolaritetit dhe ndikimin e politikave të fuqive të mëdha në një kohë kur multilateralizmi po përballet me dobësim të vazhdueshëm.

Ajo ka theksuar se në debat është trajtuar edhe roli i mekanizmave ndërkombëtarë në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve, si dhe ndikimi i ndryshimeve gjeopolitike në funksionimin e tyre.

Ministrja Kusari-Lila ka deklaruar se, pavarësisht ngecjeve në procesin e integrimit evropian, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten ndër popujt më pro-evropianë në Ballkan.

Ajo ka ritheksuar se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet alternativa e vetme strategjike për Kosovën.

Gjatë diskutimit, ajo ka ngritur shqetësimin për standardet e dyfishta ndaj shteteve të vogla, duke përmendur Kosovën në raport me dialogun me Serbinë dhe mungesën e pasojave për aktet terroriste ndaj Kosovës.

Sipas saj, praktika të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve ndaj rendit ndërkombëtar dhe institucioneve që duhet ta mbrojnë atë.

Kusari-Lila ka theksuar gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk duhet ta konsiderojë Ballkanin Perëndimor si kufi të jashtëm, por si pjesë të natyrshme të projektit evropian.

Në panel janë trajtuar edhe zhvillimet globale të sigurisë, përfshirë konfliktin me Iranin, ekspozimin e vendeve baltike ndaj kërcënimeve nga Rusia, si dhe sfidat dhe krizat në kontinentin afrikan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka thënë se nuk do të…