Kush është Andy Burnham? Njeriu që pritet të zëvendësojë Starmer-in si kryeministër
Andy Burnham po përmendet gjithnjë e më shumë si një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e Partisë Laburiste në Britani, pas dorëheqjes së Keir Starmer, duke u konsideruar edhe si një nga emrat potencialë për postin e kryeministrit të ardhshëm të vendit.
Pozitat e tij janë forcuar pas fitores së fundit në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, rezultat që ka rritur pritshmëritë për rikthimin e tij në politikën kombëtare.
Andy Burnham nuk është një figurë e re në garën për drejtimin e laburistëve. Ai ka kandiduar dy herë më parë për lider të partisë, por është mposhtur fillimisht nga Ed Miliband dhe më pas nga Jeremy Corbyn.
Pavarësisht kësaj, në vitet e fundit ai ka ndërtuar një profil të fortë politik jashtë Westminster-it, duke u shndërruar në një nga figurat më të njohura të së majtës britanike.
Një nga temat që e ka identifikuar më fort karrierën e tij është angazhimi për drejtësi për viktimat e tragjedisë së Hillsborough. Si ish-sekretar i Kulturës dhe më pas sekretar i Brendshëm në hije, Burnham ka qenë një nga zërat më të fortë në mbështetje të familjeve të viktimave, duke fituar vlerësime të gjera publike.
Që nga viti 2017, ai shërben si kryebashkiak i Mançesterit, duke rritur ndikimin e tij politik në veri të Anglisë. Gjatë përplasjes me qeverinë qendrore për fondet gjatë pandemisë Covid-19, ai u quajt “Mbreti i Veriut”, ndërsa ka promovuar edhe projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë rrjetin e integruar të transportit publik “Bee Network”.
Megjithëse gëzon popullaritet të lartë në nivel rajonal dhe ka pasur sukses në zgjedhjet lokale, mbetet ende e paqartë nëse Burnham do të arrijë ta kthejë këtë mbështetje në një fitore për drejtimin e Partisë Laburiste dhe më tej në garën për kryeministër. Në qarqet politike në Londër, ai shihet aktualisht si një nga pretendentët më seriozë për të pasuar Starmer në krye të partisë.



