
Kush ia ndau çmimet Kurtit e Osmanit? Rektori e pranon se organizata s’ka bord e strukturë: Do të riaktivizohen
Gjatë ditës së sotme, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, gjatë një ceremonie ka ndarë çmimet Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës, për presidenten Vjosa Osmani, dhe, për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, shkruan Gazeta Express.
Kjo ndarje çmimesh është pritur me kritika të shumta, të cilat u dhanë kryesisht për dy arsye. E para ka të bëjë se çmimet u dhanë në kohë fushate, pak ditë para zgjedhjeve të 12 tetorit.
Dhe e dyta, ka të bëjë me atë se çmimet u ndanë nga një organizatë e cila ndër ata që reaguan u cilësua edhe si ‘’gati fantome’’.
Për këtë të fundit, në një deklarim për media, më saktë për Nacionalen, ka folur rektori Hajrullahu.
Ky i fundit, pa dhënë përgjigje direkte, tha se është e zakonshme që në vendet normale ku bën pjesë ose po bëhet pjesë secilën ditë e më shumë edhe Kosova, universitetet ndajnë çmime për të diplomuarit e vet që kanë të arritura në shkencë, në dije apo qeverisje.
‘‘Organizata sa e kam pa, ka pas bord funksional apo të paktën me rastin e themelimit. Çdo universitet të vendeve normal e ne jemi të atillë apo jemi duke u bërë të tillë secilën ditë e më shumë te të diplomuarit e vet që kanë arritura, në shkencë, në dije, në qeverisje, në udhëheqje e ka nderin me i sjell me i lidh sa më afër me universitetin e vet edhe me krenari me potencu që ky personalitet është i diplomuar i universitetit tonë. Kjo është bota normale’’, tha ai.
Tutje, gazetarët insistuan që Hajrullahu të tregojë se kush apo edhe si është marrë vendimi për ndarjen e këtij çmimi për Kurtin e Osmanin, porse prapë, rektori nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, ai e pranoi se organizata në fjalë nuk ka bord dhe strukturë udhëheqëse, porse të njëjtat do të riaktivizohen.
‘‘Organizata, shoqata në fjalë, siç duket për shkak të pandemisë, është themeluar në 2018/19, për vite të tëra ka qenë jo aktive, shoqata në fjalë është riaktivizuar, do të riaktivizohen edhe bordet edhe të gjitha strukturat udhëheqëse të saj. Ky është shembulli më i mirë se si në këtë vendin tonë, ku derdhen paratë taksapaguesve edhe vendit edhe shteteve mike që duan të na ndihmojnë ne, siç janë në këtë rast paratë e taksapagueseve amerikanë krijojnë diçka dhe vetëm lihet në hije dhe nuk funksionalizohet. Ky është shembull se si u rifunksionalizu, jemi shumë falënderues si Universitet i Prishtinës, që na e kanë bë gati këtë institucion’’, tha ai.
Kurse i pyetur se kush e bëri gati këtë vendim, ai tha se është bërë ‘‘me vendimin e TLP (Alumni Asocaciation).
Por, rektori Hajrullahu në fjalimin e tij të mbajtur gjatë ceremonisë deklaroi se çmimin e dorëzon në emër të Universiteti të Prishtinës.
‘‘Me këtë rast, kam nderin e veçantë që në emër të Universitetit të Prishtinës t’jua dorëzoj Çmimin ,,Alumni i Nderit i Universitetit të Prishtinës”’’, ka thënë ai. /Express