
Kush ‘sulmon’ amerikanët shpallet “non grata” – Marco Rubio paralajmëron bllokime masive vizash për zyrtarët e huaj
Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio ka njoftuar kufizimin e vizave për zyrtarët e huaj të cilët kanë gjobitur, intimiduar apo akuzuar shtetas amerikanë për ushtrimin e të drejtës së tyre për fjalën e lirë.
“Të huajt që punojnë për të minuar të drejtat e amerikanëve nuk duhet të gëzojnë privilegjin e udhëtimit në vendin tonë”, ka njoftuar Rubio duke thënë se politika e re do t’i prekë ata kudo qofshin, edhe në Evropë.
“Për një kohë shumë të gjatë, amerikanët janë gjobitur, ngacmuar dhe madje akuzuar nga autoritetet e huaja për ushtrimin e të drejtave të tyre të lirisë së fjalës.
Sot, po njoftoj një politikë të re të kufizimit të vizave që do të zbatohet për zyrtarët e huaj dhe personat që janë bashkëpunëtorë në censurimin e amerikanëve. Liria e fjalës është thelbësore për mënyrën amerikane të jetesës – një e drejtë e lindur mbi të cilën qeveritë e huaja nuk kanë autoritet.
Të huajt që punojnë për të minuar të drejtat e amerikanëve nuk duhet të gëzojnë privilegjin e udhëtimit në vendin tonë. Qoftë në Amerikën Latine, Evropë apo gjetkë, ditët e trajtimit pasiv për ata që punojnë për të minuar të drejtat e amerikanëve kanë mbaruar”, njofton Rubio.
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar prej kohësh censurën dhe represionin nga Partia Komuniste Kineze, Rusia dhe regjimet iraniane dhe kubaneze, por administrata Trump kohët e fundit ka shtuar kritikat kundër aleatëve në Evropë.