
Kushtetueses i kërkohet të mos lejojë “veto” për Listën Serbe
“Veto” për Listën Serbe e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani çështjen që po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së kësaj partie, lidhur me nënkryetarin serb të Kuvendit të Kosovës.
Të martën, Osmani ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese komentet rreth ankesës së Listës Serbe për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. Ajo ka thënë se ka kërkuar që Kushtetuesja ta mbrojë Republikën nga partia e serbëve të Kosovës, për të cilën ka thënë se e ka për synim bllokimin e shtetit. E çdo vendim ndryshe i Gjykatës sa i përket lëndës që Lista Serbe e dërgoi në Kushtetuese, ajo ka thënë se do të rrezikonte me legjitimimin e rrezikshëm të bllokadave
Sipas Osmanit, moszgjedhja e nënkryetarit të pestë nuk duhet të jetë pengesë që Kuvendi të konstituohet. Në konferencë shtypi, të martën, ajo vlerësoi se bllokimi i Kuvendit shkaku i një nënkryetari i cenon seriozisht funksionalitetin dhe vlerat institucionale.
Osmani ka thënë se Lista Serbe e synon bllokimin e shtetit, për çka ka shtuar se pret që Kushtetuesja t’i njohë këto qëllime të saj dhe të mos lejojë që Kosova të mbahet peng i një partie politike.
E çdo vendim ndryshe i Gjykatës, sipas Osmanit, i legjitimon bllokadat e tilla.
“Ne kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë të shtetit tonë, organit më të lartë përfaqësues. Çdo përcaktim ndryshe rrezikon që të legjitimojë bllokime procedurale të rrezikshme në nivel të normës kushtetuese juridikisht të detyrueshme”, ka thënë Osmani.
Osmani e ka quajtur çështje tretësore votimin ndaras të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve, për të cilën ka thënë se nuk ka dërguar komente.
“Sa i përket çështjes së pakos, nuk kemi dërguar komente lidhur me këtë çështje, sepse më duket çështje komplet dytësore, tretësore apo edhe më poshtë. Çështja parësore, çështja kapitale, të cilën sot e ka Gjykata Kushtetuese para vetes, është se a do ta mbrojë Republikën nga vetoja e një komuniteti a një partie, në fakt jo komuniteti, një partie që përfaqëson komunitetin e cila as nuk e njeh këtë Republikë”, ka thënë ajo.
Presidentja ka thënë po ashtu se Kuvendi është konstituuar në frymë kushtetuese, porse shtoi se nuk do ta kërkojë emrin e mandatarit për Qeveri, pa përfunduar masa e përkohshme e Kushtetueses.
“Në momentin që të skadojë masa, me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedoj edhe me caktimin e mandatarit, edhe pastaj punët e tjera janë në duart e partive kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, ka deklaruar Osmani.
Çështjen si veto e ka cilësuar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se një vendim në favor të kërkesës së Listës Serbe do të ishte “skenar në nivel të tradhtisë shtetërore”.
“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës, ky është akti më i lartë i Republikës, ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
E Vetëvendosje në një reagim më 6 shtator ka thënë se çfarëdo interpretimi e aktgjykimi që shkon jashtë Kushtetutës në këtë rast “do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe”. Vetëvendosje ka thënë se Lista Serbe e asnjë parti që ka vende të rezervuara “nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se çështja e “së drejtës së vetos” në konstituim të Kuvendit është “interpretim i shtrembëruar i frymës kushtetuese dhe parimeve të parlamentarizmit”.
“Përtej problemeve të tjera procedurale, po tentohet të etablohet ideja se Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar edhe pa zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Në të kundërtën, komuniteteve gjoja do t’u jepej “e drejta e vetos” në konstituimin e Kuvendit. Por nëse kjo do të merrej si standard, atëherë parimisht, jo vetëm komunitetet, por secili grup parlamentar me të drejtë propozimi për nënkryetar do të kishte fuqi bllokuese. Ky është një interpretim i shtrembëruar i frymës kushtetuese dhe parimeve të parlamentarizmit. Pozitat e “rezervuara” nuk janë privilegje absolute, por pjesë e një arkitekture të ndërtuar për gjithëpërfshirje – pa cenuar funksionalitetin institucional. E drejta për përfaqësim nuk është e pakufizuar, por as nuk mund të degradohet përmes mosveprimit apo refuzimit politik nga shumica”, pati shkruar ai në Facebook më 3 shtator.
E Cakolli pati thënë po se në Kosovë tash s’është rasti kur një proces po bojkotohet apo abuzohet nga komunitetet. Por sipas tij, gishti duhet të drejtohet kah përfaqësuesit e shumicës.
Me veprimet në periudhën e fundit, Cakolli pati thënë se Listës Serbe partitë shqiptare po ia mundësojnë viktimizimin.
Edhe publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se është shumica shqiptare, e jo vetë serbët, ajo që e pengoi konstituimin e Kryesisë së Kuvendit, duke mos e zgjedhur asnjë kandidat nga komuniteti serb.
“Komuniteti serb nuk ka bllokuar, nuk ka vënë veto e as s’ka penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Me propozimet e veta i ka dhënë mundësi shumicës që ta bëjë zgjedhjen e tërësisë së Kryesisë së Kuvendit. Shumica nuk e ka zgjedhur asnjë kandidat të propozuar nga dy subjektet politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu ka penguar kompletimin e Kryesisë së Kuvendit dhe njëkohësisht përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb”, ka thënë Surroi.
Kritik ndaj qasjes së presidentes u shpreh analisti politik, Ilir Deda, që e ka vlerësuar të paqëndrueshëm argumentin e saj për konstituimin e Kuvendit, duke përdorur referenca të seancave konstituive të parapavarësisë.
“Po ndalem veç te një pjesë – për Kuvend, NUK mund të merret si argument asnjë rrethanë para aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014 dhe të përsëritura në 2025 – sidomos jo ato raste kur Kosova nuk ka pasur as Kushtetutë e as Gjykatë Kushtetuese, e as që ka qenë shtet – pra gjatë kohës së UNIMK-ut”, ka thënë Deda.
Osmani u pyet në konferencë edhe nëse përbën shqetësim për të që komentet e saj mund t’i trajtojë edhe gjyqtari Radomir Llaban, të cilin më herët e pati kualifikuar kërcënim për sigurinë kombëtare, porse ajo tha që ai nuk është gjyqtar raportues dhe ka të drejtë të vetëm një vote.
Të premten e javës që shkoi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.
Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar. Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta me ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë.