Kushtetuesja e bashkon kërkesën e Kurtit dhe deputetëve të LVV-së ndaj dekretit të presidentes Osmani
Gjykata Kushtetuese e ka bashkuar kërkesën e kryeministrit Kurti dhe të 30 deputetëve të LVV-së për dekretin e presidentes Vjosa Osmani. Në sqarimet e sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, thuhet se kërkesat pritet të shqyrtohen të bashkuara për shkak se objekti i çështjes është i njëjtë.
“Kërkesa e Kryeministrit të Republikës së Kosovës përkitazi me Dekretin e Presidentes është bashkuar me kërkesën e dorëzuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkak të objektit të njëjtë të çështjes.”, tha Dula për RTV21.
Në Gjykatën Kushtetuese fillimisht ishte dorëzuar kërkesa e Kryeministrit përkitazi me dekretin, me 7 mars. Dhe rrjedhimisht, Gjykata ju kishte kërkuar palëve të interesit që komentet e tyre t’i dorëzojnë deri më 11 mars 2026. Gjykata sqaron se më 9 mars kishte pranuar kërkesën nga deputetët e LVV-së për të njëjtën çështje. Sipas Gjykatës Kushtetuese, meqenëse objekti i çështjes ishte i njëjtë, Gjykata ka bashkuar të dy rastet, dhe pastaj u ka dërguar palëve shkresën e radhës për dorëzimin e komenteve në këtë rast, deri me 12 mars 2026.’



