Kushtetuesja e Speciales refuzon ankesën e Thaçit për shkelje të të drejtave të tij në rastin kundër administrimit të drejtësisë
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka refuzuar ankesën e Hashim Thaçit lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë procedurave në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Përmes avokatëve Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq, Thaçi e kishte dorëzuar ankesën më 29 dhjetor 2025.
Në ankesën e tij, Thaçi pretendon se caktimi i gjyqtarit që autorizoi masat e veçanta hetimore, edhe si gjyqtar i procedurës paraprake, nuk ishte në përputhje me ligjin.
Përveç kësaj, në ankesë është thënë se janë shkelur të drejtat e Thaçit për respektimin e jetës private dhe familjare për shkak të masave të veçanta hetimore që janë autorizuar nga gjyqtarët në fjalë.
“Parashtruesi po ashtu u ankua se masat e posaçme hetimore dhe masat e tjera të autorizuara ndaj tij nuk ishin marrë “në përputhje me ligjin”, meqë gjyqtari i vetëm në dosjen hetimore dhe gjyqtarja e procedurës paraprake në Çështjen 12 ishin caktuar në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit. Sipas Parashtruesit, kjo përbënte shkelje të të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja i ka shpallur të papranueshme ankesat e parashtruara nga Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ato janë të parakohshme dhe të pambështetura.
Aty thuhet se sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara, individët mund t’i drejtohen asaj vetëm kur paraqitet qartazi pamja e një shkeljeje kushtetuese dhe pasi të jenë shteruar mjetet juridike efektive.
Gjithashtu, DhSK hodhi poshtë pretendimet për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, duke vlerësuar se ato ishin të formuluara në mënyrë të përgjithshme dhe pa specifikuar vendime apo masa konkrete që do të përbënin shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Po ashtu, Dhoma konstaton se ankesa e Parashtruesit lidhur me shkeljen e të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës, për shkak të masave të autorizuara ndaj tij, është e pambështetur dhe nuk zbulon pamjen e një shkeljeje të të drejtave kushtetuese të Parashtruesit. Prandaj, edhe kjo pjesë e Referimit duhet të shpallet e papranueshme në përputhje me Rregullën 14 (f) të Rregullave të DhSK-së”, thuhet në vendim.
Ndryshe, fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar më 27 shkurt 2026./BetimipërDrejtësi/



