Kushtetuesja nuk e “zgjidh” bllokadën për presidentin

25 mars 2026 | 08:27

Ndërsa kanë mbetur edhe shtatë ditë derisa Gjykata Kushtetuese duhet të marrë vendim lidhur me dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Veton Dula, tha se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga parashtruesit e kërkesës.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, tha Dula për rtv21

Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se është gabim i partive politike që ta shohin Gjykatën Kushtetuese si adresën e vetme për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve politike për çështjen e presidentit të ri. Melos Kolshi nga ky institut vlerëson se çelësi kryesor është te partitë politike për të gjetur një marrëveshje për një kandidat konsensual.

“Ne si IKD vlerësojmë se Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të shihej si një mekanizëm debllokues i problemeve që kanë subjektet politike ndërmjet vete, në rastet kur nuk e gjejnë vullnetin për një marrëveshje të përbashkët politike. Gjykata Kushtetuese do të duhej të vinte në konsideratë në momentin kur nuk kemi ndonjë qartësim të plotë kushtetues dhe juridik”, deklaroi Kolshi për rtv21.

Megjithatë, njohësit e Kushtetutës dhe analistët politikë vlerësojnë se Gjykata Kushtetuese do ta qartësojë rrugën për partitë politike për zgjedhjen e presidentit të ri, sikurse kishte qartësuar në disa raste për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.

“Gjykata Kushtetuese, në momentin kur merr vendim, ai vendim duhet të respektohet. Ne jemi vend demokratik që kemi mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike”, theksoi Kolshi nga IKD.

“Kanë qenë të lodhshme pritjet për çdo datë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ka edhe një anë tjetër të medaljes: duke filluar nga zgjedhja e kryekuvendarit dhe të gjitha proceset e tjera, ajo i ka qartësuar”, tha Tahiri.

Gjykata Kushtetuese gjendet përpara dy skenarëve mbi të cilët do ta marrë vendimin e saj deri më 31 mars sa i përket dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, në rastin e kërkesës së kryeministrit Albin Kurti dhe të grupit parlamentar të LVV-së: Ta shpallë dekretin e presidentes kushtetues, duke konstatuar se presidentja ka vepruar brenda kompetencave të saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe automatikisht vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.  Në rastin e dytë, nëse dekreti i presidentes shpallet jokushtetues, atëherë ai anulohet dhe Kuvendi konsiderohet ende funksional për të vazhduar punimet aty ku kanë mbetur, duke u dhënë afat 60 ditë deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri.

Presidentja kishte nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues 30 ditor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jetstar New Zealand ka kërkuar falje pasi anuloi disa shërbime…