Kushtetuesja orën 17:00 publikon vendimin për Veliajn
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zyrtarisht se sot (e hënë), në orën 17:00, kryetarja e kësaj gjykate, Holta Zaçaj do të zhvillojë një komunikim me gazetarët në ambientet e Kushtetueses.
Ky komunikim do të jepet lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025, ‘për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj’, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i dekretit të presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025, ‘për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore’, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025, për pjesën që lidhet me zgjedhjet në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të kryetarit të bashkisë ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”.



