Kushtetuesja pezulloi dekretin, KQZ-ja: Më 9 nëntor zgjedhje vetëm në 5 bashki, përjashtohet Tirana

10 tetor 2025 | 11:28

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri ka ndërprerë çdo përgatitje për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj, duke pranuar kërkesën e Erion Veliajt për pezullimin e zgjedhjeve në kryeqytet.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në raport me procesin zgjedhor në Tiranë përsa kohë ka një vendim pezullues nga Kushtetuesja.

“Është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera, përjashto bashkinë e Tiranës”, ka thënë Celibashi.

Ai ka thënë se edhe nëse Kushtetuesja shprehet më 31 tetor për çështjen e Veliajt, zhvillimi i zgjedhjeve më 9 nëntor në Tiranë do të ishte praktikisht i pamundur për shkak të procedurave dhe të drejtave të garantuara për subjektet zgjedhore.

“Janë një sërë aspektesh të tjera që jo veçmas kohës që kërkojnë… por janë disa të drejta që këto subjekte i kanë të garantuara në Kushtetutë e Kodi zgjedhor. Kur vijmë te kandidatët kemi rastin e kandidatëve të pavarur do të duhet të regjistrohen nëpërmjet një procesi që jo vetëm kërkon kohë e ditë, por përmban edhe disa të drejta që nuk ua mohon atyre… Kështu që mendoj se do të ishte më me dobi që ta themi që zhvillimi i procesit zgjedhor në datën 9 është thuajse i pamundur”, ka thënë Celibashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milana Nikolliq nga Lista Serbe, deputetja e pestë e propozuar…