Kushtetuesja pezullon gjykimin për zgjedhjet e 30 qershorit: Do të pyesim “Venecian”

23 qershor 2021 | 21:25

Gjykata Kushtetuese ka vendosur ditën e sotme që të pezullojë gjykimin për padinë e kryebashkiakes Voltana Ademi për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të vitit 2019.

Pas mbi 10 orë debat, trupa e Kushtetueses vendosi që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për marrjen e një opinioni.

Gazetari i ABC, Juxhin Mustafaraj raporton se palët në çështje kanë të drejtë të paraqesin nga një pyetje për Komisionin e Venecias.

Pas vendimit ka reaguar kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila u shpreh e bindur se në fund Gjykata Kushtetuese do të japë drejtësi, por vendimi final pritet që të marrë disa muaj deri në dërgimin dhe kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venecias.

“Në Gjykatën Kushtetuese sapo ka përfunduar seanca plenare për shqyrtimin e kerkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor 2019.

Së pari, dua të falenderoj të gjitha mediat që më kanë ndjekur në këtë betejë për demokracinë dhe pluralizmin vendor.

Së dyti, falenderimi shkon për trupën e Gjykatës Kushtetuese, për kohën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.

Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga “zgjedhjet” e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.

Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.

Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën” tha ajo.

Por cfarë ndodhi sot?

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen më të nxehtë politike të 2 viteve të fundit që lidhet me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi erdhi në gjykatë për të kërkuar pavlefshmëri të procesit ku në pjesën më të madhe të vendit, qytetarët shqiptarë në fletën e votimit kishin vetëm 1 kandidatë, pas bojkotit të opozitës.

Përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në nisje të seancës, pezullim të gjykimit, deri në të përfundimit të gjykimit të çështjes në gjykatën e Tiranës që lidhet me statusin e Voltana Ademit si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Por anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e rrëzuan kërkesën duke i dhënë në këtë mënyrë kryebashkiakes së Shkodrës, legjitimitet në krye të shoqatës që paralelisht drejtohet nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Përfaqësuesi ligjor i Voltana Ademit, Jordan Daci kërkoi shpalljen të pavlefshme, të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, duke kujtuar se Bindja Demokratike nuk ishte një subjekt i regjistruar në Gjykatë kur u përfshi në zgjedhje nga KQZ.

Sipas tij, qytetarët u përballën në fletën e votimit me vetëm një kandidat dhe nuk kishin mundësi të refuzonin procesin përmes votës. Daci foli edhe për dekretin e Presidentit Meta i cili anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe vendimin e njëanshëm të shumicës dhe KQZ për të zhvilluar procesin. Në seancë arsyet e anulimit të dekretit të datës së zgjedhjeve dha edhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishi i cili foli për informacionet e kreut të shtetit për trazira në protestën e opozitës afro 1 muaj përpara zgjedhjeve.

Por përfaqësuesit e Kuvendit dhe të qeverisë i konsideruan legjitime zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, Mimoza Arbi, gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive.

Sipas saj, ligji parashikon qe Presidenti vetëm dekreton datën e zgjedhjeve por nuk ka asnjë përcaktim ligjor që i jep kreut te shtetit të drejtën për të anuluar zhvillimin e zgjedhjeve. Edhe për përfaqësuesen e kryeministrisë, Elira Kokona, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e kërkesës. Në fund Gjykata Kushtetuese vendosi ti drejtohet “Venecias”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegji i Gjykatës së Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e…