
Kushtetuesja rrëzon disa paragrafë të Kodit doganor dhe të akcizave
Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetues disa paragrafë të Kodit Doganor. Përkatësisht paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, duke konstatuar se ato cenojnë parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, vlerave dhe mbrojtjes së pronës.
Këto dispozita krijojnë pasiguri juridike dhe cenojnë të drejtat e fituara të zyrtarëve të Doganës, veçanërisht për ata që nuk kanë pasur pozita paraprake në këtë institucion.
Pjesë nga aktgjykimi i Kushtetueses:
Në kontekst të vlerësimit të përmbajtjes së paragrafëve 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Gjykata vlerësoi se (i) ndryshimi i statusit të funksionit nga marrëdhënia e punës me afat të pacaktuar në pozitë me afat të caktuar, mandati i të cilëve përfundon pas një periudhe kalimtare prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e Kodit të kontestuar, sjell pasiguri për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës; (ii) sipas paragrafit 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, zbatimi i këtij ndryshimi përfshin edhe pozitën e drejtorit të Përgjithshëm, ndonëse ky i fundit përjashtohet në mënyrë eksplicite në paragrafin 4 të të njëjtit nen, duke krijuar paqartësi dhe mospërputhje të brendshme normative; dhe (iii) trajtimi që përcakton paragrafi 6 për zyrtarët që nuk rizgjidhen në pozitat drejtuese pas përfundimit të mandatit njëvjeçar, rezulton në një trajtim të diferencuar me pasoja të ndryshme juridike. Kështu, në njërën anë (kategoria e parë), stafi i Doganës të cilët kanë pasur një pozitë paraprake në Doganë sistemohen në një funksion më të ulët me ruajtje të vlerës së pagës, çka përbën degradim në pozitë me kompensim të njëjtë financiar. Në anën tjetër (kategoria e dytë), stafi drejtues i Doganës që nuk kanë pasur një pozitë paraprake në Doganë, në rast të mosrizgjedhjes, e humbin vendin e punës.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se rregullimi i përcaktuar në paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit të kontestuar, që ndërlidhet me ndryshimin e statusit të funksionit nga marrëdhënia e punës me afat të pacaktuar në pozitë me afat të caktuar, respektivisht përfundimin e mandatit pas një periudhe kalimtare prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e Kodit të kontestuar, nuk siguron mbrojtjen e mjaftueshme të të drejtave të fituara dhe krijon paqartësi juridike në raport me zbatimin e tij.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.