
Kushtetuesja tregon rastet kur Kuvendi mund të konstituohet pa u zgjedhur nënkryetari i pestë
Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka publikuar Aktgjykimin e plotë lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb ku thuhet se Kuvendi i Kosovës s’mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e këtij komuniteti dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh, shkruan Reporteri.net.
Në pikën e 148 të Aktgjykimit, Kushtetuesja ka sqaruar se Kuvendi mund të konstituohet pa u zgjedhur nënkryetari i pestë atëherë kur kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, apo edhe në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj.
Kushtetuesja thotë se Kuvendit i lejohet funksionimi përkohësisht pa një anëtar të Kryesisë, nëse Kryesia ka kuorum në vendimmarrje. Mirëpo, ajo sqaron se të gjitha këto rrethana s’vlejnë për rastin konkret, pasi dështimi ndodhi për shkak të mosvotimit nga shumica e deputetëve.
“Pavarësisht konkluzionit të lartcekur, Gjykata sqaron se në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: “Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.” Megjithatë, Gjykata thekson se ky nuk është rasti në rrethanat konkrete sepse dështimi për konstituimin e Kuvendit në rastin e tanishëm i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, për kandidatët e propozuar, qoftë (i) të propozuar drejtpërdrejt nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, respektivisht komunitetit Serb; ose (ii) përmes procedurës së shortit”, thuhet në vendim.
Gjykata ka urdhëruar deputetët që zgjedhja e kryetarit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, deri në tre herë për të njëjtin kandidat.
Deputetët poashtu kanë detyrim të marrin pjesë dhe të votojnë gjatë procesit të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.
“Gjykata rikujton se përmes aktgjykimeve të saj ka urdhëruar deputetët e zgjedhur të Kuvendit: (i) të përmbushin me sukses Seancën Konstituive të Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit/es sipas paragrafit 2 të nenit 67 dhe nënkryetarëve sipas paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës”
” të zgjedhin përmes votimit të hapur kandidati/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, votim i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë; (iii) të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.