Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj vendimit të qeverisë për disa prona në Graçanicë
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se më 21 tetor 2025, ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme në rastin KO84/25, të miratuar më 31 korrik 2025, në kohëzgjatje deri më 31 tetor 2025.
Kërkesa është parashtruar në Gjykatën Kushtetuese nga Komuna e Graçanicës bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 4 të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përmes së cilës është kontestuar Vendimi (nr. 05/218) i Qeverisë së Republikës së Kosovës i 28 gushtit 2024, për “shpalljen në interes publik ndërtimin e qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”.
Gjykata ka thënë se e ka vlerësuar si të arsyeshëm dhe proporcional vazhdimin e masës së përkohshme deri më 30 janar 2026, ndaj vendimit të kontestuar për arsye se i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.
Gjykata, përmes vendimit të saj për vazhdimin e masës së përkohshme, ka theksuar se ky vendim vlen për të gjitha palët dhe nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat e kërkesës.
Gjykata, më 21 tetor 2025, vendosi njëzëri:
I. TA VAZHDOJË kërkesën për masë të përkohshme të miratuar më 31 korrik 2025, përkatësisht të vazhdojë pezullimin e zbatimit të Vendimit [Nr.05/218] të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më datë 28 gusht 2024;
II. Vazhdimi i masës së përkohshme do të zgjasë deri më 30 janar 2026;
III. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
IV. TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
V. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.



