
Kushtetuesja vendosë ex-oficcio masë të përkohshme për Kuvendin, nga 27 korriku deri më 8 gusht
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur të caktojë masë të përkohshme ex officio, përmes së cilës ndalohen çdo vendim dhe veprim i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në Aktgjykimin KO124/25.
Kjo masë hyn në fuqi më 27 korrik 2025 dhe do të zgjasë deri më 8 gusht 2025, ndërsa është vendosur pa kërkesë nga palët, duke u bazuar në kompetencën e Gjykatës sipas Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse.
Vendimi është ex-officio në lidhje me kërkeswn e parashtruar nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së për vlerësim e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”
Në pikën e 27 të këtij aktgjykimi thuhet se Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës në kuptim të neneve 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.
Vendimi është marrë unanimisht nga shtatë gjyqtaret që aktualisht e përbëjnë Gjykatën Kushtetuese.