
Kushtetuta nuk është lojë pushteti
Shkruan: Hisen Berisha
(Cënimi i Kushtetutës si delikt kushtetues dhe vepër penale me pasoja ndërkombëtare)
Cënimi i rendit kushtetues përbën aktin më të rëndë penal pas tradhtisë ndaj shtetit dhe interesave kombëtare. Në gradën më të lartë të veprave kundër shtetit, menjëherë pas tradhtisë kombëtare, ai shihet si krim që rrezikon ekzistencën e vetë shtetit, në harmoni me teorinë kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare.
Kur ky cenim kryhet nga pozita të larta drejtuese shtetërore apo ligjvënëse, përgjegjësia është shumëfish më e rëndë. Sepse ata që kanë për detyrë ta mbrojnë Kushtetutën, jo ta shkelin, e shndërrojnë shkeljen në krim të rëndë institucional, me përgjegjësi individuale të zyrtarëve përkatës. Ky parim është në përputhje të plotë me të drejtën penale dhe ndërkombëtare, e cila njeh përgjegjësi të veçantë për zyrtarët publikë. Në këtë kuptim, aktet e tyre nuk mund të justifikohen si acta iure imperii, por hyjnë në kategorinë e veprave penale të dënueshme individualisht.
Sipas parimeve kushtetuese dhe të së drejtës penale, çdo deklarim publik kundër Kushtetutës, çdo komentim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim relativizimi, dihotomie apo konflikt-ndjellës, si dhe çdo moszbatim ose mosimplementim i aktgjykimeve të saj – si interpretuesi suprem i Kushtetutës – përbën delikt kushtetues dhe njëkohësisht vepër penale. Ky qëndrim është krejtësisht në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe me praktikat evropiane, ku moszbatimi i vendimeve kushtetuese shihet si akt i rrezikshëm që çon në anarki institucionale. Këtu zbatohet parimi klasik i së drejtës pacta sunt servanda, që nënkupton se aktet juridike të nxjerra nga autoritetet supreme janë të detyrueshme dhe nuk mund të injorohen.
Për tu fokusuar me shumë në qëllim dhe dalur nga çasja abstrakte në argumentum ad exemplum, ilustrimi me i prekshëm si rast është etiketimi i Gjykatës Kushtetuese nga Kryeministri në detyrë Kurti, si “hije politike e opozitës”, që hyn drejtpërdrejt në domenin e përgjegjësive për cenim të rendit kushtetues, duke minuar rolin e saj si gardian i Kushtetutës. Në këtë kuadër, edhe kërkesa e Presidentes për të dërguar komente shtesë nga partitë politike, edhe pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe masës së saj, përfaqëson një dalje jashtë kuadrit kushtetues. Qëllimi duket të jetë lëvrimi “ugar” nëpër Kushtetutë për interesa afatshkurtra partiake, në dëm të interesit shtetëror të përhershëm dhe funksionimit normal të institucioneve.
Shembuj ilustrues i shkeljes së rendit kushtetues janë edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i 8 qershorit 2025. Ky vendim, i cili vendosi masë juridike të ndalimit të punës së Kuvendit për 30 ditë, pas skadimit të afatit i solli deputetët në pozitë të shkeljes së Kushtetutës për efekt moszbatimi por edhe me interpretime laike dhe etiketim të Gjykatës. Përsëritja e së njëjtës situate më vendimin e shtatorit 2025, po me afat 30-ditor dhe nën të njëjtën masë ndalimi, konfirmon edhe një herë se institucionet nuk po arrijnë të zbatojnë detyrimet kushtetuese. Këto janë raste tipike ku shihen pasojat e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës dhe ku cenimi i Kushtetutës nuk mbetet abstrakt, por shfaqet me efekte konkrete mbi funksionimin e institucioneve shtetërore. Kjo do të thotë delegjitimim institucional i shtetit – që duhet ta konstatojë vetë Gjykata Kushtetuese.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi erga omnes. Ky parim nënkupton se ato janë të detyrueshme për të gjithë – për institucionet shtetërore, organet publike, pushtetet qendrore e lokale, si dhe për çdo individ, pa përjashtim. Askush nuk mund të thotë se një vendim kushtetues nuk e detyron, sepse autoriteti i Gjykatës është universal brenda shtetit. Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas shpalljes, pa pasur nevojë për miratim shtesë nga Kuvendi, Qeveria apo ndonjë organ tjetër – ato janë vetë ekzekutues. Moszbatimi i tyre nuk është vetëm shkelje ligjore, por shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës me pasoja penale dhe ndërkombëtare.
Në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare, erga omnes lidhet me detyrime që shtetet i kanë jo vetëm ndaj qytetarëve të tyre, por edhe ndaj rendit juridik ndërkombëtar (si ndalimi i gjenocidit, agresionit, etj.). Në rastin e Kosovës, respektimi i Kushtetutës dhe i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është edhe detyrim ndërkombëtar, sepse stabiliteti kushtetues është themel i marrëdhënieve ndërkombëtare të saj dhe faktor i stabilitetit rajonal. Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës përbën kësisoj cenim jo vetëm të rendit shtetëror, por edhe të rendit juridik ndërkombëtar.
Nëse Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, për shkak të inkompatibilitetit institucional ose varësisë nga urdhërdhënia politike, nuk arrijnë të përmbushin obligimin e tyre kushtetues erga omnes për zbatimin e Kushtetutës, atëherë kjo kompetencë i mbetet EULEX-it. Roli i EULEX-it është në përputhje si me të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe me Kushtetutën e Kosovës, e cila ia ka njohur mandatin. Parimi ndërkombëtar është i qartë: kur shteti dështon të garantojë rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit, mekanizmat ndërkombëtarë kanë të drejtë dhe detyrë të ndërhyjnë. Ky parim lidhet edhe me doktrinën e responsibility to protect (R2P), e njohur në të drejtën ndërkombëtare, sipas së cilës kur institucionet vendore dështojnë, hyn në fuqi përgjegjësia ndërkombëtare. Ky është parim i konsoliduar edhe në jurisprudencën e Gjykatës së Hagës dhe instancave të tjera ndërkombëtare.
Sepse cenimi i Kushtetutës nuk është çështje opinioni politik apo lojë pushteti – është shkelje e rendit juridik suprem, delikt kushtetues dhe vepër penale me pasoja shtetërore dhe ndërkombëtare. Për këtë, përgjegjësia është e pashmangshme, si në planin shtetëror ashtu edhe në atë individual. Vetëm përmes respektimit të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sundimit të ligjit sigurohet mbijetesa e shtetit modern dhe funksionimi i tij si subjekt i barabartë në bashkësinë ndërkombëtare.