Kuvendi del me njoftim për zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar, publikohet fjalimi i tij

26 gusht 2025 | 21:15

Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me seancën e sotme, ku Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit dhe Albulena Haxhiuk, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala si nënkryetarë nga partitë shqiptare dhe Emilija Rexhepin nga komunitetet jo shumicë. Konstituimi mbeti në gjysmë për shkak të bllokadës në zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, shkruan Reporteri.net.

Seanca filloi punimet nën kryesimin e deputetit më të vjetër, Avni Dehari dhe deputetes më të re të Legjislaturës IX-të, Sala Jashari.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi Lëvizjen Vetëvendosje që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit.

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, për kryetar të Kuvendit, propozoi deputetin Dimal Basha, për të cilin 73 deputetë votuan për, 30 kundër dhe 8 abstenuan.

“Pas këtij votimi, kryesuesi konstatoi se kryetar i Kuvendit zgjidhet Dimal Basha”, thuhet në njoftim.

Aty është përfshirë edhe fjalimi i Bashës pas zgjedhjes si deputet.

“Ky institucion është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta, mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vet jeta e tyre”, tha ndër të tjera Basha.

Basha tha se pret që të bëhen bashkë ku e kërkon interesi kombëtar, pavarësisht dallimeve.

“Në këtë Kuvend pres debat të hapur, por edhe respekt për njëri – tjetrin. Dua të shoh kritika, por edhe alternativa. Dua të shoh përballje politike, por gjithmonë të udhëhequra nga synimi i përbashkët për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar”, ka shtuar ai, duke thënë se “Kosovën e kemi të përbashkët.”

Pas një pauze, nën drejtimin e kryetarit Basha, seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shqiptare.

Në pako për nënkryetarë të Kuvendit u votuan Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për të cilët 101 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe 9 abstenuan.

Më pas, deputeti Elbert Krasniqi nga radhët e minoriteteve jo serbe propozoi që kandidati për nënkryetar të zgjidhet ndarazi nga kandidatit i Listës Serbe. Krasniqi propozoi për nënkryetare Emilija Rexhepin.

Në vijim të seancës, Basha ftoi përfaqësuesin e Listës Serbe që të propozojnë një kandidat për nënkryetar. Deputeti Igor Simiq propozoi deputetin Sllavko Simiq. Kurse, deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, e propozoi vetën për nënkryetar të Kuvendit.

“Për shkak të qëndrimeve të ndara, kryetari Basha vendosi që për zgjedhjen e nënkryetarëve nga minoritetet të mos votohet në pako. Pas hedhjes në votim, për Emilija Rexhepin, 73 deputetë votuan për, 1 kundër dhe 23 abstenuan. Ndërkaq, për deputetin Simiq, 10 deputetë votuan për, 55 kundër dhe 23 abstenuan”, thuhet në njoftim.

Edhe pas votimit të dytë dhe të tretë deputeti Sllavko Simiq nuk mori votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit.

“Pas kësaj procedure, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, duke cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se një kandidat duhet të propozohet vetëm tri herë, kërkoi nga Lista Serbe që të propozojnë një kandidat tjetër. Pas refuzimit të Listës Serbe, kryetari Basha, sipas rregullores së Kuvendit përdori mundësinë e shortit me emrat e deputetëve nga radhët e minoritetit serb”.

Shorti i ra dy herë deputetes Verica Qeraniq, e cila në të dyja herat nuk mori asnjë votë për, 55 kundër dhe 21 abstenime.

As deputeti i radhës, Stefan Kovaçeviq, të cilit i ra shorti për t’u votuar nuk mori votat e nevojshme për nënkryetar, pasi që nuk mori asnjë votë për, 48 kundër dhe 19 abstenime.

Votat e nevojshme për nënkryetar nuk mori as deputeti Nenad Rashiq, emri i të cilit u zgjodh me short. Për deputetin Rashiq, 55 deputetë votuan për, 1 kundër dhe 17 abstenuan.

Basha ndërpreu seancën konstituive për sot, për të vazhduar të enjten, në ora 11:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkrahur…