Kuvendi duhet t’ia heqë Speciales elementin racist

08 korrik 2020 | 11:18

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka treguar se shumë shpejt kjo organizatë do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës që ta amandamentojë ligjin për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se me anë të një amendamenti do t’i mundësohet kësaj gjykate që t’i ndjekë të gjitha krimet e luftës që janë bërë në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Gucati ka thënë se Kuvendi i Kosovës e ka obligim që kësaj gjykate t’ia heqë elementin racist, sipas të cilit, do t’i ndjekë vetëm krimet e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Meqenëse e dimë se shfuqizimi i kësaj gjykate është i pamundur, sepse është ndryshuar edhe Kushtetuta për të, ne do të kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që ta fusë një aneks në ligjin për gjykatën në mënyrë që ajo t’i ndjekë të gjithë personat që kanë bërë krime lufte, pa dallime etnike. Pra, jo të ndiqen vetëm ish-ushtarët e UÇK-së. Për këtë arsye ne kemi thënë se kjo gjykatë është raciste, e padrejtë, politike dhe e njëanshme. Kuvendi i Kosovës duhet t’ia heqë kësaj gjykate elementin racist dhe ta bëjë një gjykatë normale”, ka thënë Gucati.

Ai ka treguar se për këtë ide janë konsultuar me avokatë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë. Gucati ka treguar se shumë shpejt OVLUÇK-ja do t’i fillojë konsultimet me grupet parlamentare për këtë çështje.

“Mendimi i tyre ka qenë se Kuvendi i Kosovës ka mundësi ta bëjë këtë, pra ta fusë aneksin që t’i ndjekë të gjithë ata që kanë bërë krime gjatë luftës në Kosovë. Për shkak të pandemisë, ne ende nuk kemi mundur të takohemi me grupet parlamentare për t’ua prezantuar këtë kërkesë. Mirëpo shumë shpejt kërkesa jonë do të dorëzohet në Kuvend dhe për këtë do t’i informojmë të gjitha mediat”, është shprehur ai.

Kryetari i OVLUÇK-së ka paralajmëruar se nëse ndodh konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit mund të ndryshohet forma e protestës. “Kur të vijë koha do të ulemi dhe do të bisedojmë e do t’ju informojmë edhe juve. Format e protestës duhet të ndërrohen sepse nuk shkon më kështu”, ka deklaruar ai.

“Epoka e re”: Z. Gucati, protesta e paralajmëruar do të mbahet, por vetëm se do të ndërrojë formë. Pse nuk e anuluat?
Gucati: Pas konsultimeve me Institutin e Shëndetit Publik ata na kanë rekomanduar se për shkak të pandemisë është rrezik të mbahet një protestë gjithëpopullore. Prandaj, kemi vendosur ta ndërrojmë taktikën e protestës. Protesta më 9 korrik do të organizohet në çdo komunë nga dega e OVLUÇK-së, në të cilën duhet të marrin pjesë vetëm 99 veta, kjo si një simbolikë që në vitin 1999 ka ndodhur çlirimi i Kosovës. Në protestën e cila do të fillojë në orën 12:00, të gjithë duhet të jenë me maska e ta respektojnë distancën fizike. Në të gjitha komunat do të lexohet fjalimi i njëjtë, ku do të paraqiten kërkesat tona.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat e juaja në raport me Gjykatën Speciale?
Gucati: Ne tashmë i kemi bërë edhe publike kërkesat tona. Ne kërkojmë që tash Kuvendi, kur duhet t’ia vazhdojë Gjykatës Speciale mandatin, t’i marrë parasysh këto kërkesa. Meqenëse e dimë që shfuqizimi i kësaj gjykate është i pamundur, sepse është ndryshuar edhe Kushtetuta për të, ne do të kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që ta fusë një aneks në ligjin për gjykatën në mënyrë që ajo t’i ndjekë të gjithë personat që kanë bërë krime lufte, pa dallime etnike. Pra, jo që të ndiqen vetëm ish-ushtarët e UÇK-së. Për këtë arsye ne kemi thënë se kjo gjykatë është raciste, e padrejtë, politike dhe e njëanshme. Kuvendi i Kosovës duhet t’ia heqë kësaj gjykate elementin racist dhe ta bëjë një gjykatë normale sikurse gjykatat e tjera në të gjithë botën. Pra, duhet të ndiqen të gjitha ata që kanë bërë krime në Kosovë dhe dihet se kush janë ata.

“Epoka e re”:  A jeni takuar me subjektet politike parlamentare për këtë çështje? Sa besoni se do t’ua marrin parasysh këtë kërkesë?
Gucati: Kjo ide ka ardhur nga OVLUÇK-ja së bashku me disa avokatë vendorë dhe ndërkombëtarë. Mendimi i tyre ka qenë se Kuvendi i Kosovës ka mundësi ta bëjë këtë, pra ta fusë aneksin që t’i ndjekë të gjitha ata që kanë bërë krime gjatë luftës në Kosovë. Për shkak të pandemisë, ne ende nuk kemi mundur të takohemi me grupet parlamentare për t’ua prezantuar këtë kërkesë, mirëpo shumë shpejt kërkesa jonë do të dorëzohet në Kuvend dhe për këtë do t’i informojmë të gjitha mediat.

“Epoka e re”: OVLUÇK-ja propozimin e aktakuzës për z. Thaçi dhe z. Veseli e ka cilësuar si politike. Pse mendoni kështu?
Gucati: Publikimi i kësaj aktakuze është turpi më i madhi që ka ndodhur në histori të drejtësisë ndërkombëtare. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe për ne është aktakuzë politike. Sepse ajo u publikua pikërisht kur presidenti ishte duke udhëtuar për Uashington. Pastaj e kanë thënë edhe juristë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, se publikimi i aktakuzës pa u konfirmuar është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe rast që nuk shihet në drejtësi.

“Epoka e re”: Megjithatë, qëndrimi i kësaj gjykate është se ajo nuk po e gjykon luftën e UÇK-së, por individët?
Gucati: Ne e dimë se në momentin që dënohet i zoti i shtëpisë dënohen të gjitha anëtarët e asaj shtëpie. Kështu që, z. Thaçi dhe z. Veseli nuk kanë qenë vetëm individë. Për ne në këto raste nuk dënohet individi, por dënohet lufta e UÇK-së. Kjo është vetëm një kamuflazhe ndërkombëtare që thonë se nuk po gjykohet UÇK-ja, por individët. Në këtë rast po dënohet lufta e UÇK-së dhe jo individët. Në momentin që dënohen komandantët e UÇK-së është dënuar UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare. Dhe ngritja e aktakuzave ndaj z. Thaçi dhe z. Veseli është ngritje e aktakuzës ndaj UÇK-së. Në këtë mënyrë po mundohen ta barazojnë viktimën me agresorin. Pra, po mundohen që luftën tonë çlirimtare ta barazojnë me luftën gjenocidale të Serbisë. Gjithë bota e di se kush ka bërë krime lufte e gjenocid në Kosovë. Me veprime të tilla po kënaqen vetëm epshet e Rusisë dhe Serbisë.

“Epoka e re”: Nëse konfirmohen aktakuzat, cili do të jetë veprimi juaj?
Gucati: Nëse vjen puna deri te ngritja e akuzës, atëherë format tona të protestës do të ndryshojnë.

“Epoka e re”: Si do të ndryshojnë?
Gucati: Kur të vijë koha do të ulemi dhe do të bisedojmë e do t’ju informojmë edhe juve. Format e protestës duhet të ndërrohen, sepse nuk shkon më kështu.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se…