Kuvendi financon ekspozitë ku fyhen viktimat, Kurti për masakrën e Izbicës: E kemi obligim institucional nderimin e dinjitetit të çdo viktime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e masakrës së Izbicës, ka thënë se kjo masakër është një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë.
Më 28 mars 1999, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt. Pas plaçkitjes dhe ndarjes së burrave nga gratë dhe fëmijët, u ekzekutuan 147 shqiptarë të pafajshëm. Dy gra të moshuara, të paafta për të lëvizur, u dogjën të gjalla pasi forcat serbe i vunë flakën rimorkios së traktorit ku ndodheshin ato.
Të mbijetuarit u dëbuan me forcë, ndërsa trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u fshehën në varreza masive në Kosovë e Serbi, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit.
Kurti ka thënë se plagët e së kaluarës mbeten të hapura për sa kohë autorët e krimeve nuk janë përballur me drejtësinë.
Ai ka shkruar se institucionet e kanë për detyrë që të vazhdojë pa u ndalur në kërkimin drejtësisë, në ndëshkimin e përgjegjësve dhe në nderimin e dinjitetit të çdo viktime.
“Edhe sot, sikurse çdo ditë nderojmë viktimat dhe qëndresën e familjarëve, të cilët me guxim dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë.
Plagët e së kaluarës mbeten të hapura për sa kohë autorët e krimeve nuk janë përballur me drejtësinë. Si Republikë e Kosovës, kemi obligim institucional dhe moral që të vazhdojmë pa u ndalur në kërkimin drejtësisë, në ndëshkimin e përgjegjësve dhe në nderimin e dinjitetit të çdo viktime”, ka shkruar Kurti.



