Kuvendi i kërkon IKSHPK-së testimin e stafit për Covid-19

29 qershor 2020 | 14:31

Kuvendi i Kosovës i ka bërë kërkesë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që të shoh mundësinë e testimit për Covid-19 të zyrtarëve dhe deputetëve të këtij institucioni. Kështu ka bërë me dije për “Radion Evropa e Lirë” sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili  ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

“Me pranimin e rezultatit të testit, e kam njoftuar stafin dhe jam izoluar”, ka thënë ai.

Krasniqi ka theksuar se IKPSHK-ja nuk ka kthyer ende përgjigje sa i përket testimit të stafit të Kuvendit.
Edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka njoftuar të dielën se ka rezultuar pozitiv me Covid-19, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes.

Përndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës shtyu mbledhjen e paralajmëruar për të hënën, për një ditë tjetër.

Në njoftimin e Kuvendit nuk përmendet arsyeja e shtyrjes.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus.

Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.

Numri i të shtrirëve në Kliniken Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Në dhjetë ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.
Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46 për qind e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me Covid-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 1 korrik në Prishtinë pritet të hapet Pishina e…