
Kuvendi i Kosovës në krizë të thellë politike: ndërmjet përgjegjësisë dhe ambicies personale!
Asoc. Prof. Dr. Nijazi Halili
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si shtylla themelore e pushtetit legjislativ, është kthyer në një arenë përplasjeje të interesave personale dhe partizane, duke humbur funksionin e tij kushtetues si përfaqësues i vullnetit qytetar. Në vend të avancimit të proceseve demokratike dhe ligjvënëse, po dominohet nga një krizë e thellë politike që buron nga paaftësia apo mungesa e vullnetit të liderëve për të ndërtuar konsensus dhe bashkëpunim institucional.
Kjo krizë është pasojë e një personalizimi të theksuar të pushtetit, ku liderët politikë e shohin partinë si pronë personale dhe Kuvendin si instrument për të realizuar ambicie individuale. Arroganca politike dhe përjashtimi i mendimit ndryshe janë bërë tipare të zakonshme në diskursin publik dhe parlamentar. Kultura demokratike e dialogut dhe tolerancës politike është zëvendësuar nga përballje agresive, akuza të ndërsjella dhe bllokada sistematike. Më shumë se sa një garë për ide dhe programe, politika në Kosovë është shndërruar në një luftë për dominim, ku çdo kompromis shihet si dobësi.
Në këtë kontekst, seancat parlamentare janë shpesh të bojkotuar, ligjet mbeten të pa miratuara dhe qytetarët përballen me një klimë të thellë zhgënjimi. Kuvendi, që duhet të jetë tempulli i demokracisë dhe zgjidhjeve institucionale, është kthyer në një burim të krizës dhe destabilitetit. Për më tepër, kjo situatë po dëmton seriozisht imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë investuar në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, tashmë shfaqin hapur shqetësimin për mungesën e stabilitetit politik dhe paaftësinë për të ndërtuar një konsensus funksional ndërmjet forcave politike.
Pasojat janë të shumta dhe të thella: nga paralizimi i proceseve legjislative, te vonesat në reforma kyçe për integrimet euroatlantike dhe menaxhimi i sfidave ekonomike dhe sociale. Më e rënda është humbja e besimit të qytetarëve në politikë dhe në vetë demokracinë. Në një shoqëri të vogël si Kosova, ku çdo krizë politike ka pasoja të menjëhershme sociale dhe ekonomike, një situatë e tillë është e papranueshme dhe e rrezikshme.
Kosova ka nevojë urgjente për një zgjim të ndërgjegjes politike dhe qytetare. Duhet të ndërtohet një pakt institucional dhe moral ndërmjet subjekteve politike për të rivendosur funksionimin e Kuvendit dhe për të kthyer besimin e qytetarëve në institucione. Ky proces duhet të përfshijë figura të respektuara kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe komunitetin akademik. Demokracia nuk mund të jetë peng i tekave personale. Shteti nuk ndërtohet me inate, por me përgjegjësi. Kuvendi i Kosovës duhet të dalë nga kjo krizë jo për shkak të presionit, por për shkak të vetëdijes politike se vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit mund të ndërtohet një e ardhme më e sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.