Kuvendi ta parandalojë iniciativën që rrezikon tërësinë territoriale

31 gusht 2018 | 16:57

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka thënë të enjten se thirrja e seancës urgjente nga partitë opozitare ka për qëllim ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë t’i negociojë kufijtë dhe territorin e Kosovës. “Lidhja Demokratike e Kosovës, si grupi më i madh parlamentar pas ngjarjeve të fundit dhe deklarimeve konfuze të presidentit të vendit, e ka parë të rëndësishme të koordinohet me partitë e tjera opozitare, me ç’rast kemi mbledhur nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e seancës që para takimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ta heqim çdo dilemë që bie ndesh me Kushtetutën dhe interesin nacional të Kosovës”, është shprehur Rugova, duke shtuar se Kuvendi duhet të parandalojë çfarëdo iniciative që rrezikon sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit. “Është me rëndësi të madhe të ndërtohet një konsensus rreth parimeve kryesore kushtetuese siç është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Do t’i ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm kushtetues dhe ligjorë që përmes Kuvendit ta parandalojmë çfarëdo aventure që rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës”, ka deklaruar ai. Rugova ka shprehur optimizëm se rezoluta për këtë çështje do të mbështetet nga të gjitha partitë, përfshirë edhe ato të pushtetit. Ai ka bërë me dije se opozita është në rrugën e duhur për t’i siguruar votat për rrëzimin e Qeverisë. Sipas Rugovës, duhet të shkohet në zgjedhje të reja në mënyrë që vendi të shpëtojë nga dëmtimi që po i kanoset nga qeveria aktuale.

 “Epoka e re”: Z. Rugova, LDK-ja me mbështetjen e dy partive të tjera opozitare ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, siç është thënë, për ta shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës. Prisni që kjo iniciativë të ketë sukses?
Rugova: Lidhja Demokratike e Kosovës, si grupi më i madh parlamentar, pas ngjarjeve të fundit dhe deklarimeve konfuze të presidentit të vendit, e ka parë të rëndësishme të koordinohet me partitë e tjera opozitare, me ç’rast kemi mbledhur nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e seancës që para takimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ,ta heqim çdo dilemë që bie ndesh me Kushtetutën dhe interesin nacional të Kosovës. Pika e vetme e kësaj seance urgjente është ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës, sepse askush nuk ka të drejtë t’i negociojë kufijtë dhe territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe presidentin e vendit. Ne si mazhorancë, meqë flitet për 58 deputetë të shumicës shqiptare, e kemi parë të arsyeshme dhe të nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë i vendit, ta thotë fjalën e vet lidhur me idenë për korrigjimin e kufirit. Ky është qëllimi i thirrjes së kësaj seance me iniciativë të LDK-së, e mbështetur edhe nga dy partitë e tjera opozitare.

 “Epoka e re”: Keni arritur të siguroni mbështetjen e shumicës parlamentare për miratimin e rezolutës lidhur me këtë çështje?
Rugova: Jemi të bindur se rezoluta e propozuar nga partitë opozitare do ta marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit duke ditur se edhe partnerët e koalicionit qeverisës kanë diskrepanca të mëdha në qëndrime. Edhe publikisht dihet se partia e kryeministrit Haradinaj, AAK-ja dhe partia e zëvendëskryeministrit Limaj, Nisma Socialdemokrate, janë kundër idesë për korrigjimin e kufirit. Është me rëndësi të madhe të ndërtohet një konsensus rreth parimeve kryesore kushtetuese siç është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ky parim ka dalë nga pakoja e Ahtisarit, Kushtetuta e Kosovës dhe këtë e forcon edhe më shumë opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND). Konsiderojmë se deklaratat për korrigjimin e kufijve shkaktojnë panik dhe janë kundërkushtetuese dhe nuk janë në interes të Kosovës. Ne jemi për dialog, po ashtu jemi për arritjen e një konsensusi që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pastaj ai që e fiton legjitimitetin popullor elektoral do ta udhëheqë fazën e fundit të dialogut me Serbinë. Ky dialog duhet të jetë i barabartë, me parime të reciprocitetit dhe të përfundojë me njohje reciproke.

“Epoka e re”: Cilët do të jenë hapat që do të ndërmerren nëse dështon miratimi i rezolutës?
Rugova: Në bazë të kalkulimeve tona dhe bisedave me partnerët opozitarë, por edhe me partitë politike që janë pjesë e koalicionit, të cilat publikisht po e kundërshtojnë idenë për shkëmbim të territoreve dhe atë për rishikim të kufijve, e kanë mbështetur qëndrimin tonë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Këtë hartë të Kosovës e kanë njohur mbi 111 shtete dhe ne besojmë se do t’i kemi votat e mjaftueshme. LDK-ja e ka obligim politik dhe moral, por edhe kushtetues, t’i marrë këta hapa dhe të heqë çdo dilemë në mënyrë që Kuvendi ta thotë fjalën e vet me një debat cilësor dhe kualitativ, që do të ketë karakter gjithëpërfshirës. U bëjmë thirrje edhe partive të komuniteteve joserbe që ta na mbështesin sepse është interes i të gjithë qytetarëve të Kosovës, në veçanti është në interes për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, Kosova me kufijtë aktualë.

 “Epoka e re”: Deputetja Vjosa Osmani ka bërë thirrje që të protestohet në ditën kur në Bruksel do të takohen Thaçi dhe Vuçiqi.
Rugova: Deputetja Osmani ka deklaruar se apeli për protesta ka qenë qëndrim i saj individual. LDK-ja e ka kryetarin, Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm dhe grupin parlamentar. Pas seancës së jashtëzakonshme do t’i bëjmë analizat e nevojshme. LDK-ja me logjikën institucionale do t’i shtjerrë të gjitha mundësitë kushtetuese dhe ligjore. Vetëm Kryesia e LDK-së është kompetente të marrë vendime të tilla. Do t’i ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm kushtetues dhe ligjorë që përmes Kuvendit ta parandalojmë çfarëdo aventure që rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës. Ne ende nuk kemi biseduar dhe nuk e kemi hapur temë protestën, prandaj deklarimi i deputetes ka qenë apel individual. Përndryshe, grupi parlamentar i LDK-së është unik dhe jemi në harmoni të plotë me secilin vendim që e merr Kryesia e LDK-së.

 “Epoka e re”: Z. Thaçi po e akuzon opozitën, se me këto qëndrime po e vë në pikëpyetje mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën.
Rugova: Iniciativa e opozitës është kushtetuese dhe ligjore. Nuk dua t’i komentoj deklarimet e presidentit Thaçi, por mund të them me përgjegjësi të plotë se LDK-ja dhe opozita duan të largojnë çdo shqetësim dhe çdo mjegull sa i takon sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Keni deklaruar se LDK-ja është pro shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme. A i keni siguruar votat për rrëzimin e Qeverisë?
Rugova: Me koordinimin dhe organizimin që kemi bërë këto ditë me kolegët tanë opozitarë, jemi duke biseduar edhe me partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës, në mënyrë që t’i sigurojmë votat e nevojshme që ta largojmë këtë Qeveri nga pushteti. Kjo, mbase, është Qeveria më e dobët në shtatë dekadat e fundit. Duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme në mënyrë që vendi të shpëtohet nga dëmtimi serioz që po i kanoset nga kjo Qeveri e papërgjegjshme. Jemi duke u angazhuar seriozisht për ta bërë kuorumin e nevojshëm për largimin e kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Keni arritur marrëveshje me ndonjë prej deputetëve nga radhët e partive në pushtet për ta rrëzuar Qeverinë?
Rugova: Ne kemi biseduar me deputetët e partive në pushtet të cilët janë shumë të pakënaqur me gjendjen aktuale. Jemi optimistë se pas këtij organizimi opozitar dhe pas këtij presioni qytetar do t’i sigurojmë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, e cila është Qeveria më e dëmshme për vendin që nga viti 1945. Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme duhet të formohet një Qeveri kredibile për ta nxjerrë Kosovën nga ky vorbull dhe nga ky depresion kolektiv.

“Epoka e re”: Shtatori mund ta sjellë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj?
Rugova: Nuk dua të flas për data, por jemi në rrugë të mirë dhe nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Shqipe Hetemi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte në orën 20:30 zhvillohet derbi i kësaj xhiro në…