Kuvendi vendos nëse Avdullah Hoti do të jetë kryeministër

28 prill 2020 | 11:05

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, para pak çastesh ka arritur në selinë qendrore të partisë, në të cilën pritet të takohet me grupin parlamentar të partisë së tij për t’ia prezantuar kabinetin qeverisës.

Deputeti Fatmir Rexhepi para fillimit të mbledhjes së tyre deklaroi se e ka përkrahur qeverisjen në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, ai ka thënë se do të lobojë për krijimin e institucioneve të reja.

“Unë kam qenë ithtar dhe lobues për të qenë në bashkëqeverisje me LV-në. Kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por qeverisja i takon kryeministrit. Si një deputet do të ndihmoj në krijimin e institucioneve”, ka thënë Rexhepi, i cili ka folur edhe për mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti, për të cilin ka thënë se do të vendosë Kuvendi nëse ai do të udhëheqë Qeverinë.

“Kuvendi vendos nëse Avdullah Hoti do të jetë kryeministri i ardhshëm. Sot vazhdojmë me normat kushtetuese. Secili që del në emisione thotë se Kuvendit është institucioni më i lartë, atëherë lëreni këtë punë në dorën e Kuvendit”, tha ai.

Në këtë mbledhje Mustafa do të bëjë të ditur planin qeverisës dhe hollësitë për të cilat ende nuk janë publike për opinionin.

Në këtë mbledhje Mustafa pritet të diskutoj me deputetët edhe për aprovimin e tyre duke e ditur se disa prej tyre kanë qenë kundër në Këshill të Përgjithshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së djeshme kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka…