Kuvendit i duhen deputetë me përvojë shumëvjeçare

03 tetor 14:42

Kandidatja për deputete nga radhët koalicionit AAK-PSD, Kaqusha Jashari, ka thënë se nuk ka nevojë të lobojë për mbledhje të votave meqë është e njohur për opinionin kosovar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se e ka marrë besimin e qytetarëve shumë më herët, meqë e ka pasur të qartë qëndrimin për Kosovën e pavarur.

“Nëpër këto tubimet po shkoj për t’u takuar me njerëz e jo për të lobuar sepse nuk kam nevojë. Mua më njeh opinioni kosovar dhe besimin e qytetarëve e kam fituar shumë më herët, meqë e kam pasur shumë të qartë qëndrimin për Kosovën, për ruajtjen e identitetit të Kosovës dhe për Kosovën e pavarur”, ka deklaruar Jashari, duke shtuar se është në pension, por për politikë nuk ka moshë.

Ajo ka shprehur optimizëm se do ta marrë besimin e qytetarëve për t’u bërë deputete e Kuvendit.

Sipas Jasharit, do të ishte në të mirë të Kuvendit që ta ketë një deputete me përvojë shumëvjeçare.

“Secili kandidat i hyn garës me synimin për fitore, prandaj nuk do të kishte kuptim që të kandidohesh dhe të angazhohesh nëse nuk beson në vete se do të fitosh. Mendoj se është mirë që Kuvendi ta ketë një person siç jam unë me përvojë shumëvjeçare”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se PSD-ja e ka prioritet mirëqenien e qytetarëve dhe, sipas saj, koalicioni AAK-PSD e ka programin më të mirë për shtetin dhe qytetarët. Jashari ka premtuar se nëse zgjedhet deputete do të jetë besnike e realizimit të këtij programi.

“PSD-ja dhe unë e kemi prioritet mirëqenien e qytetarëve. Koalicioni AAK-PSD e ka programin më të mirë. Të dy partitë për çështje ekonomike, sociale, për arsimin dhe për shëndetësinë kanë mirëkuptim 100 për qind. Nëse unë do ta marr besimin e qytetarëve për t’u bërë deputete, premtoj se do të jem besnike e realizimit të këtij programi”, ka theksuar ajo.

Jashari ka folur edhe për dialogun, me ç’rast ka thënë se përfundimi i këtij procesi nuk do të jetë i lehtë. Sipas saj, taksa duhet të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Procesi i dialogut duhet të përfundojë sepse kjo është në interes të Kosovës. Po ashtu, është edhe në interes të Evropës që të ketë stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo nuk mendoj se do të jetë i lehtë aspak përfundimi i këtij procesi, megjithatë nuk duhet bërë kompromise në dëm të vendit tonë”, ka deklaruar Jashari.

Image may contain: 1 person, smiling, standing

“Epoka e re”: Znj. Jashari, pse vendoset që t’i ktheheni politikës dhe të kandidoni për deputete?
Jashari: Siç e dini, kjo nuk është hera e parë që unë garoj për deputete sepse jam pjesë e Partisë Socialdemokrate që nga themelimi. Në vazhdimësi kemi marrë pjesë në zgjedhje, por nuk kemi pasur mundësi të depërtojmë. Vetëm kur kemi qenë pjesë e koalicionit me PDK-në kemi hyrë në Kuvend dhe unë kam qenë deputete në mandatin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Jam në pension, por për politikë nuk ka moshë. Në këto zgjedhje, përveç këtyre socialdemokratëve të rinj, garojmë edhe ne si të themi socialdemokratët e mëhershëm, pra unë, Shqipe Kastrati dhe Eleonora Çeku.

“Epoka e re”: Meqë jeni pensioniste, sa është sfiduese që të dilni në terren për të lobuar për vota?
Jashari: Nëpër këto tubimet po shkoj për t’u takuar me njerëz dhe jo për të lobuar sepse nuk kam nevojë. Mua më njeh opinioni kosovar dhe besimin e qytetarëve e kam fituar shumë më herët meqë e kam pasur shumë të qartë qëndrimin për Kosovën për ruajtjen e identitetit të Kosovës dhe për Kosovën e pavarur.

“Epoka e re”: Besoni se do të bëheni deputete dhe nëse po, çka do t’i ofroni Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve?
Jashari: Secili kandidat i hyn garës me synimin për fitore, prandaj nuk do të kishte kuptim që të kandidohesh dhe të angazhohesh nëse nuk beson në vete se do të fitosh. Mendoj se është mirë që Kuvendi ta ketë një person siç jam unë me përvojë shumëvjeçare. PSD-ja dhe unë e kemi prioritet mirëqenien e qytetarëve. Koalicioni AAK-PSD e ka programin më të mirë. Të dy partitë për çështje ekonomik, sociale, për arsimin dhe për shëndetësinë, kanë mirëkuptim 100 për qind. Nëse unë do ta marrë besimin e qytetarëve për t’u bërë deputete premtoj se do të jem besnike e realizimit të këtij programi.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh përvojën tuaj politike në rrethana të ndryshme, si e shihni ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë pavarësisht se kush do ta udhëheqë qeverinë e re?
Jashari: Procesi i dialogut duhet të përfundojë sepse kjo është në interes të Kosovës. Po ashtu, është edhe në interes të Evropës që të ketë stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo nuk mendoj se do të jetë i lehtë aspak përfundimi i këtij procesi, megjithatë nuk duhet bërë kompromise në dëm të vendit tonë. Kosova ka bërë kompromise të mëdha kur kemi aprovuar Pakon e Ahtisarit, kur kemi formuar komunat etnike, kur kemi lënë vendet e rezervuara në Kuvend si dhe kompromise të tjera. Dialogu duhet të vazhdojë, por nuk duhet lejuar krijimi i mekanizmave që e cenojnë funksionimin e shtetit. Kosova duhet të jetë e plotë dhe të funksionojë si shtet 100 për qind.

“Epoka e re”: Por lideri i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, insiston që taksa nuk do të hiqet, ndërkohë që procesi i dialogut nuk pritet të rifillojë pa u larguar taksa.
Jashari: Edhe unë jam që taksa mos të hiqet. Ndërkombëtarët po kërkojnë heqjen e taksës, por kjo mund të bëhet edhe në mënyra të tjera. Dialogu duhet të fillojë dhe kur të arrihet një marrëveshje e cila parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, atëherë mund të hiqet taksa. Serbia nuk mund të vazhdojë më tutje që edhe mos ta njohë Kosovën, por në të njëjtën kohë tregun e saj ta ketë të lirë.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga e Evropës luan sot ndeshjet e javës së dytë…