“Ky aktgjykim nuk do të zbatohet” – Smakiqi: Kurti ka qëllime ogurzeza për ta zhbërë bazamentin e Republikës

30 shtator 2025 | 20:43

Avokati i njohur Xhevdet Smakiqi ka reaguar ashpër pas aktgjykimit të tretë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (nr. KO265/25), i cili konstaton se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb dhe i jep afat 12-ditor Kuvendit për ta bërë këtë.

Në një prononcim për Periskopin, Smakiqi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar si përgjegjësin kryesor për krizën institucionale që po kalon vendi.

“Siç e kemi theksuar, bllokada për moskonstituim të Kuvendit ka qenë e motivuar politikisht, nga egoja personale deri në plangprishje e një individi që është votuar më së shumti nga qytetarët më 09.02.2025, e që dihet – Albin Kurti,” – ka deklaruar Smakiqi.

Ai theksoi se në këto 18 vjet të pavarësisë, Republika e Kosovës kurrë nuk ka përjetuar një krizë të tillë politike dhe kushtetuese.

“Kosova s’ka pasur nevojë për këto tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, pasi procedurat kanë qenë të qarta në nenin 66 dhe 67 të Kushtetutës së Kosovës dhe në nenin 12, paragrafi 5 i Rregullores së Kuvendit.”- tha Smakiqi për Periskopin.

Smakiqi kritikoi ashpër edhe sjelljen e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për mënyrën se si është devijuar procedura e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë.

“Partia fituese dhe kryetari i saj i Kuvendit, Dimal Basha, e kanë shkelur Kushtetutën me devijimin e praktikës dhe procedurës së propozimit dhe votimit ndaras të nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë.”, u shpreh ai.

Ai paralajmëron se edhe pse Gjykata Kushtetuese ka dhënë një afat prej 12 ditësh për zgjedhjen e nënkryetarit serb, ky vendim nuk do të zbatohet dhe që sipas tij Kurti ka qëllime ogurzeza për ta zhbërë bazamentin e shtetit të Kosovës.

“Jam i bindur se ky aktgjykim nuk do të zbatohet nga kjo legjislaturë e mjerë, e çoroditur, e dorëzuar para anarkisë politike. Nuk do të respektohet afati 12-ditor – vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli. Tashmë krejt bota demokratike shtetet mike e sidomos liri-bërsja liri-garantusja SHBA, janë të bindur se Albin Kurti ka qëllime ogurzeza për ta zhbërë bazamentin e Republikës së Kosovës në emër të nacionalzimit falso kinse po e lufton Listën Serbe.”- ka thënë avokati.

Sipas Smakiqit, nëse pas përfundimit të afatit 12-ditor Kuvendi nuk përmbush detyrimin kushtetues, Presidentja pritet të bëjë kërkesë në Kushtetuese dhe më pas të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, njësoj si në rastin e rrëzimit të Qeverisë Hoti përmes çështjes së Ethem Arifit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i AAK-së për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka…