Ky është i dyshuari për plagosjen e inspektorit të IPK-së në Breg të Diellit

23 mars 2026 | 22:46

Siç mëson Sinjali, Agon Dulla, është i dyshuari për plagosjen me armë zjarri të inspektorit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Arsim Beqiri, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Sipas informacioneve nga burime të besueshme pranë vendit të ngjarjes, i dyshuari është pronar i një shisha bari në këtë zonë, ndërsa inspektori i plagosur banon afër nga ai objekt. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se më herët ka pasur edhe intervenime të policisë, si pasojë e thirrjeve të bëra nga inspektori.

Ngjarja ka ndodhur në shkallët e objektit, ku dyshohet se fillimisht ka pasur një fjalosje mes palëve. Situata më pas ka eskaluar dhe sipas rrethanave paraprake, në momentin kur inspektori i IPK-së ka çuar dorën në brez – ku dyshohet se mbante armën zyrtare – i dyshuari ka shtënë nga afërsia, duke e plagosur në këmbë.

I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa i dyshuari mbetet në kërkim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Incidenti me armë zjarri i cili ndodhi sonte te Rruga…