Ky është ish i burgosuri shqiptar që kaloi 10 vjet në “Zabela” të Pozharevcit

20 shtator 2025 | 09:28

Riza Xhakli, i njohur si pjesëtar i grupit të “Paraqinit”, ka vuajtur rreth 14 vite burg nëpër kazamatet serbe. Vetëm në burgun famëkeq “Zabela” të Pozharevcit ai kaloi plot 10 vjet, ndërsa pjesën tjetër në burgje të tjera të Serbisë, pa bërë asnjë ditë burg në Kosovë.

Ai ishte arrestuar më 19 shtator 1987, në kohën kur kryente shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave, dhe u lirua pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 2001.

Siç dihet, më 3 shtator 1987, në dalje të kazermës së Paraçinit në Serbi, u vra ushtari shqiptar i APJ-së, Aziz Kelmendi nga Arbana e Prizrenit, pasi kishte përfunduar shërbimin ushtarak. Pas këtij rasti, shërbimi sekret ushtarak arrestoi një numër të madh ushtarësh shqiptarë, të cilët në forma të ndryshme kishin pasur lidhje me të. Në mesin e tyre ishte edhe Riza Xhakli nga Ferizaj.

Gjykata ushtarake e Jugosllavisë në atë kohë dënoi tetë prej tyre me dënime të rënda, nga 2 deri në 20 vjet burg, me arsyetimin se kishin pasur dijeni për veprimet e Aziz Kelmendit. Të dënuarit ishin:

Riza Xhakli – 20 vjet burg

Abdylxhemil Alimani – 20 vjet

Afrim Mehmeti – 13 vjet

Pajazit Aliu – 13 vjet

Shefqet Paqarizi – 7 vjet

Enver Behluli – 5 vjet

Riza Alibashiqi – 4 vjet

Islam Mahmuti (nga Gjakova) – 2 vjet.

Në përvjetorin e 38-të të arrestimit të tij, Xhakli ka publikuar disa fotografi nga qëndrimi në “Zabela” të Pozharevcit, duke e shoqëruar me një shënim personal në rrjetin social Facebook:

“Sot e 38 vite më parë, më 19 shtator 1987, jam burgosur. Fillimisht më dënuan me 15 vjet heqje lirie, mandej Gjykata e Lartë Ushtarake në Beograd ma ngriti dënimin në 20 vjet. Fotografia e parë është korridori i pavijonit të VII-të në ‘Zabela’, fotografia e dytë dhe e katërta janë qelitë e pavijonit të VII-të, ndërsa fotografia e tretë është afër fushës së sportit në Pozharevc. Nga gjithsej rreth 14 vite të kaluara brenda grilave, vetëm në Pozharevc kam kaluar 10 vjet!”

(Foto e burgut të Dubravës; Sadik Zeqiri, Abdylxhemil Alimani, Blerim Camaj dhe Riza Xhakli, në nderim të të burgosurve shqiptar të vrarë nga policia, ushtria dhe gardianët serb gjatë periudhës; 19-24 maj 1999)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv për…