
Ky është punëtori nga Gjakova që humbi jetën në vendin e punës
Pasditen e së enjtes në Gjakovë, një burrë 43-vjeçar, ka ndërruar jetë në rrethana të papritura, pak çaste pasi kishte përfunduar orarin e punës në një objekt ndërtimi.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Megzon Qukanin, i cili ishte punëtor në kompaninë “Muratori” dhe po qëndronte së bashku me pronarin e objektit, kur gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur.
Burimet brenda emergjencës bëjnë me dije se viktima është sjellë pa shenja jete dhe, pavarësisht prej përpjekjeve, është konstatuar i vdekur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe forenzika, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Të dy dëshmitarët, pronari i kompanisë dhe pronari i shtëpisë ku po punohej, janë marrë në pyetje nga hetuesit, ndërsa janë sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë për t’i ndriçuar rrethanat e vdekjes së papritur.