Ky është ushtari i FSK-së që me grushte e sprej ndali 23-vjeçarin që kërkonte ish-të dashurën

02 maj 2025 | 09:16

Sot një ngjarje dramatike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lokalin “Hebs”, që gjendet në sheshin “Xhorxh Bush”, në afërsi të parkingut nëntokësor në Prishtinë. Ajo që nisi si një hyrje e paautorizuar përfundoi në një përleshje të ashpër fizike, ku të përfshirë mbetën një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një i dyshuar me të kaluar kriminale.

Sinjali ka siguruar identitetin e punëtorit të sigurimit që u përfshi në incidentin dramatik të ndodhur në orët e para të mëngjesit në lokalin “Hebbs” në Prishtinë, ku situata u përshkallëzua në përplasje fizike mes tij dhe një të riu që kishte hyrë me dhunë në lokal.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Bajram Berishën, pjesëtar aktiv i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i angazhuar në kazermën e Pomozotinit. Por për shkak të pagës së ulët në institucionin shtetëror, ai është i detyruar të mbajë dy punë – dhe në kohën e incidentit po punonte sigurim në “Hebs”.

Siç raportoi më herët Sinjali, 23-vjeçari Gramen Hysenaj kishte hyrë në lokal me nervozë, duke kërkuar ish-të dashurën e tij, të cilën e kishte kanosur më herët përmes rrjeteve sociale. Ai kishte depërtuar deri në kuzhinë, duke shpërfillur urdhrat për t’u larguar.

Kur Berisha u përpoq ta ndalonte, Hysenaj reagoi me dhunë dhe e goditi me grushte. Në vetëmbrojtje, ushtari i FSK-së përdori një sprej neutralizues për ta zmbrapsur të dyshuarin, i cili më pas u ndalua me forcë jashtë lokalit deri në ndërhyrjen e policisë.

Pas trajtimit mjekësor, Hysenaj është dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndërsa rasti po trajtohet si “Sulm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe nënpresidenti amerikan, JD…