La Liga, Muriqi në “Top-3” të golashënuesve
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi vazhdon të jetë njëri prej tre golashënuesve më të mirë të La Ligas këtë sezon.
Pas xhiros së fundit, Kylian Mbappe i prinë listës me 17 gola, ndonëse sulmuesi i Real Madridit ka edhe katër asistime.
Ferran Torres i Barcelonës është golashënuesi i dytë, me 11 gola të realizuar kurse e ka edhe një asistim.
Ndërkohë, Muriqi është i treti në këtë ranglistë me nëntë gola të realizuar.
Kosovari po shkëlqen te Mallorca këtë sezon, pasi tashmë e ka kaluar shifrën e golave që i shënoi gjatë gjithë sezonit, në dy kampionatet e kaluara.
Robert Lewandowski i Barcelonës, Julian Alvarez i Atletico Madridit dhe plot emra të tjerë të mëdhenj të La Ligas, janë prapa Muriqit, përfshirë këtu edhe Lamine Yamal e Raphinha.
31-vjeçari të shtunën shënoi supergol me kokë në fitoren 3:1 të Mallorcas ndaj Elches, ndeshje kjo që i takoi xhiros së 16-të të kampionatit spanjoll.
Me formën aktuale, duket se ky do të jetë sezoni më i mirë në karrierë për sulmuesin e Kosovës.
Sezoni më i mirë i Muriqit më tani ishte 2022/2023, kur për Mallorcan i realizoi 15 gola dhe pati tri asistime në 35 paraqitje në La Liga.




