
Lajçaku, të martën në Kosovë
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë të martën në Kosovë.
Nga Qeveria e Kosovës e konfirmuan lajmin për “Radion Evropa e Lirë”, por nuk u dhanë detaje rreth agjendës së diplomatit.
Të hënën, Lajçak iu adresua ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
“Jam mirënjohës për interesin e tyre të sinqertë dhe mbështetjen e fuqishme. Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”.
Ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën të hënën për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny, si dhe situatën në Bjellorusi.
Dialogu Kosovë-Serbi, që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.